26.8 C
New York
Friday, July 11, 2025

Buy now

Dalipi reagon pasi kompania që e themeloi mori licencë për tregti të rrymës, i përmend disa pagesa për media

- Advertisement -

Shefi i kabinetit të Kurtit, Luan Dalipi, ka reaguar pak orë pasi ZRrE-ja e licensoi kompaninë që ai e themeloi, të merret me shitblerje të rrymës.

Dalipi ka akuzuar mediat. Ka përmendur trillime, insinuata, dhe ka përmendur pagesat që qeveritë e kaluara kanë bërë për media.

Postimi i plotë:

Mos bini pre e trillimeve dhe insinuatave dashakeqe të disa portaleve dhe politikanëve të opozitës – të njëjtët që janë rritur politikisht në epokën kur korrupsioni ishte rregull, jo përjashtim. Sot, me çdo mjet, përpiqen ta barazojnë Qeverinë Kurti me qeveritë e kapura të së kaluarës, si për të mbjellë idenë se të gjithë janë njësoj. Por nuk janë – dhe këtë dallim e di mirë secili qytetar që ka përjetuar të dy realitetet.

Ka nga ata që, me zell të veçantë dhe motivim politik, bëjnë çmos për të shpikur skandale – jo për interesin publik, por për ta njollosur Qeverinë Kurti, qeverisjen më të ndershme dhe transparente që ka pasur ndonjëherë jo vetëm Kosova, por mbarë rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Ja titujt e sotëm të disa portaleve:

– “ZRRE’ja e licencon kompaninë për tregti me rrymë të themeluar nga Luan Dalipi”

– “Kompania e vëllait të Luan Dalipit merr licencë nga ZRRE për tregti me energji”

– “Sa me fat vëllai i Luan Dalipit. E provoi fatin dhe i eci”

Si duket, disa nga këtyre portaleve thjesht po iu mungojnë kontratat/pagesat njëburimore që i kanë pasur dikur.

Për të gjithë qytetarët e interesuar – dhe për ata disa përfaqësues mediash e politikanë që janë mësuar me “korrje” të buxhetit publik gjatë qeverive të mëparshme – po rikujtoj edhe një herë faktet bazike, të cilat disa po bëjnë sikur nuk i dinë:

1.⁠ ⁠Numri i licencave nuk është i kufizuar, e kjo nënkupton që secili që i plotëson kushtet licencohet. Andaj njoftësia është e panevojshme.

2.⁠ ⁠Blerja dhe shitja eventuale e energjisë bëhet kryekëput me sektorin privat, andaj nuk ka mundësi përfitimi nga lidhjet eventuale politike.

3.⁠ ⁠Sa më i madh numri i ofertuesve aq më e madhe është konkurrenca, e më i ulët çmimi i furnizimit. Andaj licencimi i më shumë ndërmarrjeve i ndihmon, e nuk e dëmton konkurrencën.

4.⁠ ⁠Asnjë biznes nuk obligohet të blejë energji nga një biznes i caktuar, por e zgjedh individualisht furnizuesin.

Dhe për ata që kanë nostalgji për kohën kur mediat “fitonin” më shumë:

Në 17 vitet e fundit, shpenzimet për kontrata njëburimore për media kanë qenë rreth 10 milionë euro. Sipas partive që kanë qeverisur:

AAK: rreth 2,900 €/ditë qeverisje

PDK: rreth 2,000 €/ditë qeverisje

LDK: rreth 1,400 €/ditë qeverisje

LVV: rreth 200 €/ditë qeverisje

Pra, kur i bie që Qeveria Kurti ka shpenzuar 6 deri 13 herë më pak, s’është çudi që disa “gazetarë të pavarur” janë të pakënaqur. Qeveria nuk blen heshtjen, dhe kjo duket i shqetëson disa.

Kërkoni të vërtetën. Mos lejoni që të manipulohet me emocione dhe tituj bombastikë.

#Vlerat → #Sistemet → #Rezultatet

#Kurti3

Ps.1 Për ata që nuk më njohin personalisht: historia ime është ndërtuar mbi punë të ndershme dhe integritet. Kam shërbyer me dinjitet dhe përkushtim në këtë Qeveri tash e katër vjet, por jam po aq krenar edhe për angazhimin tim të mëparshëm në Departamentin Amerikan të Tregtisë dhe më pas në MDA – periudha thelbësore dhe formuese për zhvillimin tim profesional.

Sa i suksesshëm apo produktiv është një njeri në jetë ndikohet nga shumë faktorë – disa prej të cilëve nuk janë as në dorën tonë. Por një gjë e di me siguri: kurrë nuk do të doja të isha në lëkurën e atyre që, me karakter të ligë, denigrojnë të tjerët pa fakte, për motive personale apo interesa të ulëta.

Ps2. Profilet e rreme dhe komentet denigruese e pa argumente, që vetëm derdhin vrer – fshihen.

Të ngjashme

Të fundit