Tashmë në faqen zyrtare të Komisionit Evropian janë publikuar pamjet e para nga fillimi i takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Nga këto pamje, nuk ka se si të mos vërehet buzëqeshja e kryeministrit Kurti, dhe mrrolja e presidentit serb, Vuçiq.
Këtij të fundit madje, shihet duke i folur diçka edhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, njëeherit organizator i takimit.
Nuk dihen detaje nga takimet e mbajtura paraprakisht, ndaras, megjithatë ajo që dihet është se palët do të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian.
Çka tha Stano?
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një konferencë për media pak më herët, u shpreh se nuk e di kur mund të përfundojë takimi.
“Në fund të takimit të ditës së sotme ai do të dalë para mediave, nuk e dijmë kohën, por do t’ju informoj përmes kolegëve këtu. Me dialogun siç jemi mësuar nuk e dijmë se kur do të përfundojë, por shpresojmë që ky takim do të përfundojë dikur pasdite apo në mbrëmje.” – ka thënë ai.
Ndonëse u raportua se përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell do të mbajë konferencë për media, Stano ka konfirmuar se ai vetëm do të deklarohet para gazetarëve, dhe nuk mund të kërkohen sqarime shtesë.
“Kur ky nivel i takimit të Lartë të përfundojë, përfaqësuesi i Lartë do të dalë këtu dhe do të flasë. Nuk do të jetë konferencë për media dhe gazetarët nuk do të kenë mundësi që të bëjnë pyetje e të marrin sqarime shtesë.” – tha ai.
Tutje, Stano shtoi: “Pra, vetëm deklarim, nuk ka pyetje, çdo gjë do të jetë në gjuhën angleze.”
Veç kësaj, Stano nuk pranoi të japë kurrfarë informacioni rreth takimit, duke i paralajmëruar fillimisht gazetarët për këtë.
“Do t’ua kursej energjinë, mos më pyesni pyetje rreth përmbajtjes, nuk do të tregoj asgjë.” – ka thënë ai.