Derbi i kësaj jave ndërmjet Ballkanit dhe Prishtinës u mbyll pa fitues.
Ndeshja e zhvilluar në Suharek përfundoi me rezultat të barabartë pa gola 0:0, shkruan lajmi.net.
Në një moment futbollistët e të dyja skuadrave u përfshinë në një kacafytje, ku gjyqtari ndëshkoi me karton të verdhë Gentrit Halilin e vendasve dhe Muhamed Useinin e mysafirëve.
E për shkak të protestave, me karton të kuq u ndëshkua edhe trajneri Ilir Daja.
Pas ndeshjes, Daja ka pasur kritika për këtë ndeshje.
“Shumë e thjeshtë, kërkova që arbitri jo në çdo vendim të lidhet me VAR-in. Nëse arbitri kryesor nuk është i zoti të drejtoi ndeshjen më mirë, federata mos të delegojë arbitra të tillë. Unë i thash të mos e ndërpres ndeshjen vazhdimisht. I thash arbitrit na lërë të luajmë futboll. Më dha karton të verdhë dhe i thash faleminderit. Nëse nuk është i zoti mos të na sjellin arbitra të tillë. Kjo është për federatën”, ka thënë Daja pas ndeshjes.
Ballkani tani luan me Dritën dhe Gjilanin ndeshjet e mbetura.
“Na i ka lënë dy ndeshjet e fundit me 20 dhe 24 dhjetor. Kur Dinamo e Zagrebit, që ka dy herë më shumë lojtarë se ne, dy ndeshje të prapambetura ia ka shtyrë për sezonin pranveror. Ne do të vazhdojmë të luftojmë. Gjithë ky mllef nuk është për rezultatet. Jemi në diferencë pikësh me të tjerët, por kam frikë dëmtimin e lojtarëve pasi ndeshje pas ndeshje na mungojnë lojtarë. Nuk ka logjikë që Ballkani të bëjë 33 javë në gjysmën e kampionatit e 22 në gjysmën e dytë. Për këtë lloj nderi që i kemi bërë futbollit të Kosovës, të mos shkatërrohen lojtarët me idenë hajt ta gjejmë Ballkanin në ditë të vështirë. Nuk do të na gjejnë kurrë në ditë të vështirë”, ka theksuar Daja.
Ballkani mbetet në krye të Superligës me 39 pikë, derisa Prishtina mbetet në pozitën e pestë me 26 pikë.