Pas gati 30 vitesh martesë, Daddy Yankee dhe bashkëshortja e tij, Mireddys Gonzalez, i kanë dhënë fund marrëdhënies së tyre. Megjithëse fillimisht u raportua si një ndarje miqësore, situata mori një kthesë të papritur kur avokatët e këngëtarit ngritën një padi kundër Gonzalez në Gjykatën e Shkallës së Parë të San Juan. Ajo, së bashku me motrën e saj, Ayeicha Gonzalez, akuzohen për transferime të paautorizuara nga llogaritë e korporatave të Daddy Yankee, që kapin shumën e 100 milionë dollarëve.
Sipas avokatit të tij, Carlos Diaz Olivo, transferimet e dyshimta janë kryer nga llogaritë e kompanive të El Cartel Records dhe Los Cangris në llogaritë personale të Mireddys dhe Ayeicha, pa miratimin e këngëtarit. Ai shtoi se për një vit e gjysmë, Daddy Yankee, me emrin e vërtetë Ramón Ayala, kishte kërkuar në mirëbesim qasje në informacionin financiar të kompanive, por kërkesat e tij u injoruan.
Avokati theksoi gjithashtu se mungesa e transparencës financiare ka penguar Daddy Yankee të ketë kontroll mbi menaxhimin e bizneseve dhe gjendjen ekonomike të markave të tij. Në bazë të këtyre veprimeve, që përfshijnë menaxhim të pakujdesshëm dhe tërheqje të paautorizuara të shumave të mëdha parash, këngëtari ka vendosur t’i drejtohet gjykatës për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tij.
Avokati përfundoi duke thënë se këto masa janë ndërmarrë për të mbrojtur Daddy Yankee nga individët të cilëve u kishte besuar më shumë.