Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq ka kërkuar arrestimin e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu,pasi ky i fundit dha një deklaratë për vrasjen e policit serb nga Faton Hajrizi.
Glorifikimi më monstruoz i terrorizmit dhe i vrasjes së policit serb, nga Bekim Haxhiu, është vetëm dëshmi se urrejtja dhe dhuna ndaj çdo gjëje që është serbe nuk ka kufi. Nuk mund të them se jam i befasuar nga thirrja e Haxhiut për të vrarë policët serbë, as që e ka thënë publikisht. Do të habitesha vetëm nëse një deklaratë e tillë monstruoze do të mbetej pa reagim nga komuniteti ndërkombëtar dhe të gjitha institucionet e tij përkatëse”, ka thënë Daçic.
Ndryshe, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, së bashku me qindra mijëra qytetarë të Kosovës, morën pjesë në varrimin e Faton Hajrizit, i cili iu dha lamtumira e fundit në një ceremoni të mbajtur në Klinë të Ulët.
Ai tha se Faton Hajrizi është personi i parë shqiptar që shkoi nga Kosova dhe vrau një serb në territorin e Serbisë, duke nënvizuar se deri tek ky rast, të gjithë policët, ushtarët dhe paramilitarët serbë janë vrarë në Kosovë.
“Në Klinë të Ulët sot, në një organizim madhështor të ceremonisë së varrimit, së bashku me mijëra qytetarë, i dhamë lamtumirën e fundit Faton Hajrizit. Faton Hajrizi është shqiptari i parë që shkon nga Kosova dhe vret policë serbë në territorin e Serbisë. Deri tek rasti i Faton Hajrizit, të gjithë policët, ushtarët dhe paramilitarët serbë janë vrarë në Kosovë! Pusho në paqe, Faton! Ngushëllime familjes dhe miqve të Fatonit,” shkroi Haxhiu.