Franca deri më tani ka qenë shteti më skeptik sa i përket procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ky shtet ka kushtëzuar hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave me nisjen e zbatimit të sistemit digjital ETIAS.
Por, këtë kushtëzim po e kundërshton euro-deputetja Viola Von Cramon.
Ajo për tëvë1 thotë se kushtëzimi i ri me sistemin ETIAS është i papranueshëm, pasi që lista e kushtëzimeve për Kosovën ka qenë më e gjata.
“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë thirrur vazhdimisht Këshillin për ta dhënë atë që nga viti 2018. Asnjë kusht apo kriter i ri nuk është i pranueshëm për ne, pasi lista për Kosovën ka qenë më e gjata deri më tani dhe gjithçka është përmbushur”, tha ajo.
Sipas saj ka ardhur koha që Bashkimi Evropian të bëjë veprime konkrete në këtë drejtim, pavarësisht nëse sistemi ETIAS hyn në fuqi apo jo.
“Tani është koha që ne në BE të bëjmë liberalizimin e vizave pa kushte. Të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor gëzojnë lirinë e lëvizjes dhe besoj se vendimi i marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit që përfshin dhënien e liberalizimit të vizave, pavarësisht nëse ETIAS është në fuqi apo jo, është i vetmi që do të mbështesim”, shtoi euro-deputetja.
Së fundmi, ambasadorët e vendeve anëtare të bllokut evropian janë pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Sistemi i kontrollit ETIAS pritet të hyjë në fuqi në fund vitit 2023, ose në fillim të vitit 2024. /Teve1/