I njeh mirë marrëdhëniet komplekse mes Kosovës dhe Serbisë.
Madje gjatë një periudhe ai ishte edhe i ngarkuar me pozitën e ndërmjetësit nga blloku evropian për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.
Bëhet fjalë për diplomatin britanik, Robert Cooper.
Për TëVë1, ai ka treguar se cilat kanë qenë synimet e Bashkimit Evropian që kur ka filluar ky proces i dialogut në vitin 2011.
“Objektivi i jonë si ndërmjetësues ka qenë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, të përfundoj me njohje të ndërsjellë. Kush ka sado pak vetëdije politike në Serbi e di se Kosova më nuk mund të rikthehet, prandaj ata duhet të lëvizin përpara. Ne gjithnjë e kemi ditur se çfarë po kërkon Kosova nga ky proces, por të njëjtën nuk mund ta them për Serbinë”, tha ai.
Cooper nuk sheh progres serioz ne marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij nuk ka mirëbesim mes dy vendeve, prandaj edhe nuk po zbatohen marrëveshjet e arritura.
“Mes Kosovës dhe Serbisë janë arritur disa marrëveshje të rëndësishme, siç është edhe kjo e Ohrit. Në marrëveshjen e Ohrit nuk përfshihet njoha reciproke mes dy vendeve, por të gjitha rrugët të qojnë në atë drejtim. Megjithatë problemi kryesor qëndron se marrëveshjet nuk po zbatohen, prandaj dhe nuk mund ta kuptoj pse palët pajtohen për marrëveshja të tilla kur nuk janë të gatshme t’i zbatojnë ato. Unë mendoj që ky proces i dialogut është duke zgjatur jashtëzakonisht shumë dhe nuk po ka progres real”, shtoi ai.
Cooper është pyetur edhe për rolin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë proces.
“Nuk ka qenë gjithmonë e dukshme por gjatë gjithë kohës Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të përfshira në dialog. Ne kurrë nuk kemi bërë asgjë në lidhje me Kosovën dhe Serbinë pa u konsultuar fillimisht me amerikanët”, deklaroi ish-ndërmejtësi.
Krejt në fund ai i ka disa fjalë edhe për kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurtin.
“Kryeministri Albin Kurti duhet të qëndroj më shumë me komunitetin serb në Kosovë. Ai duhet t’i pyes serbët se çfarë i shqetëson dhe se çfarë mund të bëjë më shumë për t’i zgjidhur problemet me të cilat ata ballafaqohen”, përfundoi Cooper.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në shumë raste e ka theksuar publikisht se asnjëherë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës.