Antonio Conte, një nga trajnerët më të suksesshëm të dekadës së fundit, ka zbuluar si përballet me lojtarët që mendojnë se metodat e tij të stërvitjes janë shumë intensive. Në një intervistë për Corriere della Sera, trajneri italian përmendi një rast konkret nga periudha e tij te Chelsea, kur kapiteni i atëhershëm – me gjasë John Terry – i kërkoi të zbusë ritmin e stërvitjeve dhe të reduktojë sesionet me analiza video.
“Një herë, kapiteni i Chelseat më kërkoi të ngadalësoja ritmin e stërvitjeve, të bënim më pak analiza video. Pranova, kryesisht nga respekti për kulturën e tyre dhe mënyrën ndryshe të qasjes ndaj futbollit,” tha Conte.
Megjithatë, ky kompromis nuk pati rezultatet e pritura:
“Humbëm dy ndeshje radhazi dhe isha pranë shkarkimit. Që nga ajo kohë, gjithmonë mendoj se nëse duhet të ‘vdes’ për shkak të vendimeve të marra, atëherë dua të vdes me zgjedhjet e mia – jo me duart e të tjerëve. Ky është rrugëtimi. ‘Besoj procesit’, siç thonë në Angli.”
Conte, i njohur për përgatitjen e detajuar dhe punën e palodhur fizike me skuadrat e tij, ka fituar tituj kampioni me Juventus, Chelsea, Inter dhe së fundmi Napoli, dhe ka fituar titullin që në sezonin e parë me tri nga këto ekipe.
Ai thekson se përballja me sfida dhe disiplinë të fortë ka qenë gjithmonë pjesë e suksesit të tij:
“Kur mendoj për sa të vështira ishin stërvitjet atëherë, më vjen të qesh. Zidane dhe Del Piero stërviteshin edhe më fort. Sot, bëjmë afërsisht një të tretën e asaj që bëhej më parë.”
Në fund, ai përmbyll me filozofinë e tij:
“Puna duhet të lidhet me rezultatet në fushë. Kam stërvitur ekipe që, pas një kohe, lojtarët vetë filluan të dallonin situatat e rrezikshme gjatë lojës. Për mua, kjo tregon që kemi arritur atë që duhej.”