Trajneri Antonio Conte e ka pranuar se Napoli mund ta ketë objektiv Scudetton këtë sezon.
“Napolitanët” vazhduan me serinë fantastike, duke triumfuar këtë herë ndaj AC Milanit me rezultat 2:0.
I pyetur nëse Napoli po lufton për titull kampion meqenëse zhvillon vetëm një ndeshje në javë, tekniku italian tha se askush nuk e fsheh këtë objektiv, ndërsa nuk ka pritur këto rezultate pozitive.
“Askush nuk po fshihet. Nëse shohim realisht çfarë kemi bërë këtë vit, edhe pas 10 xhirove për mua është e pabesueshme edhe në ëndrrën më të çmendur nuk e kisha parë këtë”.
“Duhet ta marrim ndeshjen një nga një. Unë kam shpatulla të gjera, e di që emri dhe karriera ime do të thotë që më jepet përgjegjësi që në fillim sepse kam arritur disa gjëra. Çdo klub që fillon sezonin e di objektivin e tij, ne e dimë tonën dhe ai ishte rikthimi në Evropë, sepse Napoli ishte jashtë për herë të parë në 14 vite. Nëse mund të hyjmë nga dera e përparme, është edhe më mirë, por ne gjithashtu e dimë se pesë apo gjashtë klube kanë të njëjtat ambicie.
“Mos harroni se sezonin e kaluar ky ekip ishte 41 pikë larg liderëve. Ne nuk fshihemi, duam të ushqejmë ëndrrat e tifozëve të Napolit, por duke qenë se është një vend pasionant, duhet të mbajmë këmbët në tokë”.
Conte u pyet se çfarë e bën atë më krenar për ekipin në këtë fazë të procesit.
“Ajo që më bën krenar është se në vetëm katër muaj kemi mundur të krijojmë një njësi solide ku mendojmë për ekipin dhe jo për individin. Ky është një nga grupet më të mira që kam pasur në karrierën time, kur të gjithë kanë një vizion të vetëm dhe një unitet qëllimi, duke përfshirë ata që janë në krye të klubit deri te stafi i fanellave dhe kopshtarët, e gjithë kjo krijon një atmosferë të mrekullueshme”.