Kosova ka më shumë nevojë se çdo shtet tjetër të përfshihet në format e asocimit dhe aleancat ushtarake, si marrëveshja me Shqipërinë dhe Kroacinë, pasi si shtet i ri dhe në aspektin ushtarak ende nuk është konsoliduar sa duhet, ka deklaruar profesori universitar i kriminalistikës, Fatmir Çollaku, në një intervistë për Ekonomia Online.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar një marrëveshje trepalëshe për bashkëpunim ushtarak, e cila përveç trajnimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave, synon edhe blerjen e përbashkët të armëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çollaku, ka vlerësuar se ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe konsolidimin e ushtrisë së Kosovës, duke theksuar se një shtet i ri si Kosova ka më shumë nevojë se çdo vend tjetër të përfshihet në aleanca të tilla.
“Format e asocimit mes shteteve, pra organizimet e ndryshme, forumet e ndryshme dhe çdo mekanizëm tjetër organizativ i aleancave të ndryshme të niveleve të ulëta dhe në nivele më të larta janë të mirëseardhura për ato shtete, sepse është një bashkërenditje e aktiviteteve, është një zyrtarizim i bashkëpunimit dhe miqësisë në fushën – në këtë rast – të mbrojtjes, për të qenë më të sigurta nga kushdo qoftë që e sfidon sigurinë nacionale të këtyre shteteve. Në këtë rast Kosova ka më shumë nevojë se çdo shtet tjetër të përfshihet në këto forma të asocimit, në këto aleanca, sepse Kosova është një shtet i ri, njëkohësisht në aspektin ushtarak është ende i pakonsoliduar si shtet sa duhet dhe këto forma të bashkëpunimit dhe aleanca të ndryshme, siç është kjo me Shqipërinë dhe Kroacinë, janë jashtëzakonisht të mirëseardhura dhe Kosova përfiton shumë, sepse merr përvoja nga shtete që janë më të konsoliduara ushtarakisht. Prandaj shtetet për të cilat po flasim – Shqipëria si shtet amë, por edhe Kroacia si shtet historik mik i Kosovës, me një ushtri të konsoliduar, me një ushtri moderne, anëtare e NATO-s, anëtare e Unionit Evropian – janë rrethana të cilat lehtësojnë, ndihmojnë dhe interferojnë në zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”, ka thënë Çollaku.
Ai ka theksuar se epilogu i këtij bashkëpunimi duhet të jetë jashtëzakonisht pozitiv në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke ndihmuar në stabilizimin dhe konsolidimin e Kosovës.
“Në përgjithësi epilogu, rezultati duhet që të jetë pozitiv, jashtëzakonisht pozitiv në fushën e sigurisë, në fushën e mbrojtjes që është fusha më delikate dhe shumë e nevojshme për Kosovën, që të stabilizohet, të konsolidohet, e të jetë në gjendje të sfidohet pozitivisht nga kushdo qoftë që ia mësyn Kosovës”, është shprehur ai.
Sipas tij, zhvillimi i ushtrisë së Kosovës në bashkëpunim me ushtrinë e Shqipërisë dhe Kroacisë është një themel i rëndësishëm për konsolidimin e vendit dhe përgatitjen e tij për një të ardhme kur në Kosovë mund të mos jetë më NATO përmes KFOR-it.
“Zhvillimi i ushtrisë së Kosovës në bashkëpunim me ushtrinë e Shqipërisë dhe Kroacisë është një segment, një fundamentim i këtij bashkëpunimi në konsolidimin e Kosovës, që në një të ardhme që mund të mos jetë më NATO këtu – përkatësisht KFOR-i – Kosova të jetë e zonja e vet me miqtë, me këto aleanca, me këto zyrtarizime të bashkëpunimeve, që të mbrohet. Dihet të gjithë që edhe Shqipëria, edhe Kroacia, edhe Kosova nuk kanë ndonjë shtet të cilit i frikohen në kuptimin e destabilizimit dhe agresionit të mundshëm, por vetëm Serbisë. Prandaj edhe Kroacia e ka armik historik Serbinë, edhe Kosova e ka armik Serbinë, edhe Shqipëria terthorazi e ka armik Serbinë. Prandaj në këto rrethana, më vjen keq që them kështu, por kjo është realitet: këto tri shtete janë në aleancë të ngushtë dhe ky zyrtarizim i këtij bashkëpunimi është një gurthemel dhe garancion i një bashkëpunimi të qëndrueshëm, të gatshëm dhe të nevojshëm për tri shtetet, e në veçanti për Kosovën”, ka deklaruar Çollaku.
Marrëveshja trepalëshe e nënshkruar në Zagreb nga ministrat e Mbrojtjes së Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë parasheh bashkëpunim në trajnimet e përbashkëta ushtarake, shkëmbimin e përvojave dhe koordinimin në fushën e sigurisë.
Sipas deklarimeve zyrtare, kjo marrëveshje ka për qëllim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendeve nënshkruese dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me standardet e NATO-s.
Në kuadër të saj, tre shtetet kanë paralajmëruar edhe blerje të përbashkët të armatimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me synimin për të standardizuar pajisjet ushtarake dhe për të ulur kostot e furnizimit.