Opinionisti Bekim Çollaku ka deklaruar se partitë opozitare nuk do të duhej t’i shkonin në takim kryeministrit Albin Kurti, sa i përket çështjes së presidentit.
Ai, në “Rubikon” të Klan Kosovës, tha se partitë parlamentare opozitare nuk do duhej ta përfshinin veten në një proces që nuk përfitojnë asgje.
Çollaku shtoi se fakti që Kurti i ka ftuar udhëheqësit e opozitës në takim pas themelimit ë qeverisë, sipas tij, është absurditet i llojit të veçantë, duke potencuar, se i njëjti nuk i vlerëson aspak liderët e partive opozitare.
“Në këtë rast nuk ka një krizë institucionale, sepse Kuvendi është i konstituuar dhe Qeveria është në funksion. Secila parti opozitare, pavarësisht rezultatit zgjedhor, nëse i frikësohet në çfarëdo momenti shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme për çfarëdo arsyeje që nuk është faji i tyre, tregon një dobësi të jashtëzakonshme”, tha ai.
“Kur ia shtojmë këtij fakti edhe faktin që partitë parlamentare opozitare kanë treguar paaftësi edhe vitin e kaluar për të themeluar qeverinë me numrat që i kishin, tani po tregojnë paaftësi të jashtëzakonshme për të pasur një kandidat të tyre konsensual”, u shpreh Çollaku në Klan Kosova.
Ndërsa Çollaku po ashtu tha se Kurti nuk është i interesuar që ta zgjidh çështjen e presidentit.
“Fyerja, apo lënia në mëshirë të fatit që po i bën Vjosa Osmani është për mua treguesi më i madh që zotëri Kurti nuk është i interesuar që ta zgjedh çështjen e presidentit”, tha Çollaku.






