Analisti Bekim Çollaku nuk beson se kryeministri Albin Kurti e ka seriozisht gjetjen e zgjidhjes së çështjes së presidentit/es.
Një nga arsyet pse ai mendon kështu thotë se janë negociatat paralele të Kurtit me dy parti për këtë post.
“Akoma nuk i besoj seriozitet të z.Kurti për të gjetur zgjidhje për çështjen e presidentit sepse sikur të kishte një seriozitet nga ana e tij, mendoj që negociatat e tij do të ishin shumë më të shpeshta, shumë më serioze, edhe ndoshta, paksa më transparente për opinionin publik që është i përqendruara dhe shqetësuar me zhvillimet politike sa i përket kësaj çështjeje”, tha Çollaku.
“Kam dilema për të gjitha këto arsye që i ceka, e për më tepër, për një arsye tjetër, që është fakti që z. Kurti i ka ofruar negociata edhe PDK-së, paçka që PDK-ja nuk i është përgjigjur me arsyetimin se kërkojnë një ftesë zyrtare nga ana e z.Kurti, domethënë një qasje më serioze, por kjo tregon, si të thuash, mungesën e vendosmërisë nga ana e z. Kurti, sepse një kryeministër serioz i cili dëshiron ta tejkalojë këtë situatë politike nuk mund të zhvillojë negociata paralele me dy subjekte politike parlamentare për të njëjtin qëllim”, ka thënë ai në KlanKosova.






