Kuvendi i Kosovës po vazhdon të mbetet pezull, duke mos arritur të konstituohet si pasojë e mospajtimeve mes partive politike parlamentare.
Partitë fillimisht patën mospajtime për emrin e propozuar për kryetar të Kuvendit nga LVV, Albulena Haxhiu, e më pas edhe me propozimin që votimi për të, të bëhet në mënyrë të fshehtë.
E opinionisti Bekim Çollaku, në Rubikon të Klan Kosovës, ka thënë se LVV, si partia e parë nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta bërë qeverinë.
Po ashtu, ai thotë se as LDK, PDK, NISMA e AAK nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për t’i bërë numrat për qeveri, në rast se dështon zoti Kurti.
“Prandaj, në vend që të kemi betejë të mirëfilltë për qeverinë e ardhshme, kinse po ndodhë një betejë shumë e turpshme. Skenari do të mbetet i tillë, do të kemi përsëritje dhe s’do të ketë dalje nga ky ngërç politik për aq kohë sa nuk ka një marrëveshje politike – qoftë krahu i udhëhequr nga Albin Kurti, apo ai i udhëhequr nga zoti Hamza apo Abdixhiku. Derisa kjo nuk ndodhë, qytetarët do të jenë të detyruar ta torturojnë veten e tyre me këto shfaqje të turpit që po ndodhin në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Çollaku.
Ai tha se asnjëherë në historinë demokratike të pasluftës në Kosovë, nuk ka ndodhur të themelohen institucionet e dala nga zgjedhjet pa marrëveshje politike. /Klankosova.tv