Eksperti i sigurisë Fatmir Çollaku ka deklaruar se mundësia që Millan Radojiçiq të dorëzohet para drejtësisë së Kosovës është jashtëzakonisht e vogël, për të mos thënë e papërfillshme.
Në emisionin FIVE në TV Dukagjini, Çollaku ka thënë se Radojiçiqi, i cili ndodhet në Serbi, është nën mbrojtjen direkte të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe udhëheqjes shtetërore serbe.
Radojiçiq kërkohet nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, për rolin e tij në barrikadat në veri gjatë vitit 2022, si dhe për veprën penale të “krimeve të luftës kundër popullatës civile”.
Sipas tij, përpjekjet e institucioneve të Kosovës për arrestimin e Radojiçiqit nuk janë të mjaftueshme pa një presion të fuqishëm dhe të koordinuar ndërkombëtar.
“Realisht nuk ka gjasë, gjasat janë shumë të vogla, për të mos thënë fare që të dorëzohet para organeve të drejtësisë Radojçiiqi. Meqë dihet ai është në Serbi, gëzon mbështetje të presidentit Vuçiq dhe krejt garniturës udhëheqëse të Serbisë. Prandaj, do të ishte një iluzion me prit që do ta dorëzoj Serbia Radojçiqin para drejtësisë së Kosovës… Institucionet tona nuk kanë më shumë fuqi dhe mandat, por duhet presion i intensifikuar ndërkombëtar për të dorëzuar Radojçiqin. Një gjë e tillë nuk mund të realizohet shpjet dhe fryma politike është e tillë”, ka thënë Çollaku.