Në përmbyllje të fushatës zgjedhore, kandidati i NISMA Socialdemokrate, Nezir Çoçaj, ka theksuar se mbi çdo interes tjetër mbetet Kosova dhe e ardhmja e saj.
Ai u shpreh se vendi ka kaluar shumë sfida dhe sakrifica, ndërsa sot ka nevojë për qetësi, maturi dhe bashkim. Sipas Çoçajt, këto zgjedhje nuk kanë të bëjnë vetëm me një ditë votimi, por me drejtimin që shoqëria kosovare do të marrë në vitet në vijim.
“Këto zgjedhje janë për mënyrën se si sillemi me njëri-tjetrin, si i respektojmë dallimet dhe si i vendosim interesat e vendit mbi ato personale,” tha ai.
Çoçaj bëri thirrje për reflektim dhe vendimmarrje me përgjegjësi, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së një politike që ndërton dhe nuk përçan, që dëgjon qytetarët dhe mban përgjegjësi.
Në fund, ai theksoi se NISMA Socialdemokrate mbetet e përkushtuar ndaj unitetit dhe punës së përbashkët për të ardhmen e Kosovës, duke shprehur respekt për çdo qytetar, çdo votë dhe çdo shpresë të hedhur në këtë proces zgjedhor.






