16 C
New York
Monday, November 18, 2024

Buy now

Çoçaj: Komandant Drini më kërkoi të inkuadrohem në Shërbimin e Zbulimit në ZO të Pashtrikut, s’ka pasur SHIK atëkohë

- Advertisement -

(Përditësuar, ora 15:20)-Sipas dëshmitarit Nezir Çoçaj, atij iu ishte kërkuar nga komandant Drini (Ekrem Rexha), që t’i bashkohet Shërbimit të Zbulimit në nivel zone në Zonën Operative të Pashtrikut dhe kjo kërkesë kishte ardhur në dhjetor të 98-ës.

“Kj është e vërtetë por fillimisht ai ka kërkuar që në njëfarë forme unë të merrna me logjistikë, ngase isha nga regjioni i Hasit dhe mundësitë për ishin për të kërkuar ndihma financiare tek hasianët që punonin jashtë Kosovës. Kjo ka qenë kërkesa fillestare e Komandant Drinit për mua”, tha Cocaj.

Detyrën fillestare sipas tij, ai nuk e kishte marrë përsipër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jo nuk e kam marrë përsipër këtë detyrë”, tha dëshmitari duke shtuar se komandant Drini kishte besim tek dëshmitari për shkak se kishin njohësi përmes një familjari të tij.

“Ai me propozoi që është mirë të punosh në këtë sektor dhe prandaj edhe pranova. Arsyet e drejtpërdrejta nuk i di pse por ngaqë që kishim komunikim dhe njohësi përmes një familjari të tij e ndoshta edhe për shkak të besimit që ka pas ndaj meje. Saktësisht nuk i di arsyet se çka e ka pa të arsyeshme që unë të punoj në këtë sektor”, tha Çoçaj, duke shtuar se nuk ka pas emërim me shkrim por vetëm gojarisht.

Dëshmitari tha se nuk ka pas emërime as të pozitave të tjera por që mbas disa kohësh ka ardh Halil Çadraku dhe një grua me emrin Peka Gashi.

Pas kësaj, rreth muajit prill, në këtë sektor sipas dëshmitarit ka qenë  Xhavit Bajraktari.

Dëshmitari tha se përpara janari të 99-ës nuk e din që ka pasur ndonjë strukturë të zbulimit.

“Në nivel të Zonës Operative nuk e di që ka pas”, tha Çoçaj.

Dëshmitari mohoi të ketë pasur rregullore për kryerjen e funksioneve të zbulimit. Megjithatë, ai tregoi se si shkonte vija e raportimit.

“Nëse ishte z. Çadraku aty po. Pastaj ka shkuar me hierarki tek shefi i operatives, shefi i shtabit në nivel të zonës dhe pastaj kupola që ka qenë zëvendëskomandanti e sidomos komandanti i zonës. Pra, në këtë far vije kemi lëvizë apo kemi shku me informacione”, tha Çoçaj.

Ai tha se informacionet në shumicën e rasteve përcilleshin me gojë por ka pasur raste që edhe me shkrim.

Ndërsa, komunikimet sipas Çoçajt bëhej me radio-lidhje e po ashtu në territore të afërta edhe verbalisht.

Ai është pyetur edhe për rolin e sektorit të zbulimit për të identifikuar kolaboracionistet ose bashkëpunëtoret.

Çoçaj tha se asnjëherë nuk është përfshi në mbledhjen e informacionit për persona të tillë dhe as shefi i tij Halil Çadraku nuk ia kërkuar një gjë të tillë e po ashtu as Komandant Drini.

Ai tha se shërbim të ShIK-ut nuk ka pas atë kohë por ai i Zbulim-Kundërzbulimit (ZKZ) ka qenë.

Dëshmitari tha se gjatë fillimit të luftës, përpara verës së 98-ës nuk ka pas mundësi Shtabi i Përgjithshëm me dhanë instruksione për secilin fushë.

“Nuk kemi pas instruksione e nuk e kam ditë as nuk kemi ditë që ekziston Shtabi i Përgjithshëm në atë kohë”, tha Çoçaj.

Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli

(Përditësuar, ora 10:55)-Dëshmitari Nezir Çoçaj gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se i është kërkuar nga Ferat Shala që të inkuadrohet në Shërbimin Informativ të Kosovës (ShIK), e që sipas tij drejtor i saj ka qenë Kadri Veseli.

“Zotëri Ferat Shala”, u përgjigj dëshmitari kur u pyet nga prokurorja Vega Iodice, duke shtuar se kjo ftesë i është bërë në vitin 2001.

Çoçaj tha se nuk e din arsyen se pse iu kërkua një gjë e tillë por që sipas tij,  Shala i kishte thënë se janë të interesuar që të themelojnë këtë organizatë dhe që duhet të gjejnë njerëz, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ka ardh ka bisedu me mu, “jemi të interesuar ta themelojmë ose do ta themelojmë organizatën SHIK dhe jemi të interesuar për të gjetur njerëz”, tha Çoçaj.

Ai u pyet gjithashtu se kush mendon se ia ka dhënë Ferat Shalës këtë detyrë për të gjetur njerëz.

“Po mendoj që është kanë nga drejtori “kam përgjegjësinë të bisedojë me ju, të përzgjedhë njerëz. Me siguri, në atë kohë ka qenë zotëri Kadri Veseli”, tha ai.

Sipas dëshmitarit Çoçaj, Ferat Shala ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe ka vepruar në Zonën Operative të Drenicës,  .

Sipas tij, Shala ka pasur nofkën “Pëllumbi” gjatë kohës së luftës.

Me kaq përfunduan pyetjet e prokurores për këtë dëshmitar për të vazhduar më pas me ekipet e tjera të mbrojtjes.

Nezir Çoçaj nis dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari Nezir Çoçaj, i cili ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonës së Pashtrikut. Çoçaj është deshmitari i 104-ti me radhë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar ka qenë me masa mbrojtëse por që këto masa i janë hequr, ndërsa tani është duke u marrë në pyetje nga përfaqësuesja e ZPS-së, prokurorja,  Vega Iodice, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja Iodice, dëshmitari do të tregojë se si pjesëtar i UÇK-së çfarë ka parë dhe vërejtur në ndërtesën e MUP-it në Prizren gjatë qershorit të 1999-ës.

“Dëshmitari 04679 është shqiptar i Kosovës që u kyç në UÇK në periudhën mars-prill 1998. Gjatë kësaj periudhë me UÇK-në ai ndihmoi për organizimin e UÇK-së në territorin e tij dhe me vonë u kyç në Zonën Operative të Pashtrikut. Dëshmitari jep dëshmi lidhur me strukturën dhe organizimin e UÇK-së duke përfshirë edhe Zonën e Pashtrikut, komunikimet që ka pasur me anëtaret e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe çfarë ka parë ai me sy të tij dhe çfarë ka vërejtur ai në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren në qershor të 1999-ës”, tha prokurorja Iodice.

Një ndërtesë e cila iu prezantua dëshmitarit, ai tha se e ka vizituar gjatë qershorit të 99-ës dhe është ndërtesa e konvikteve në Prizren.

Vlen të theksohet se sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e Çoçajt pritet të zgjasë rreth një ditë. Sipas tij, Prokuroria ka parashtruar se i duhen rreth një orë dhe ekipeve të mbrojtjes rreth katër orë për kundërpyetjet e tyre.

“Kam qenë komanda e Zonës së Pashtrikut”, tha Çoçaj.

Ai tha se UÇK-ja ka përdorur edhe shtëpinë e armatës  dhe shkollën e shurdhmemecëve në Prizren.

Për Samedin Xhezairin ai tha se ka qenë anëtar i UÇK-së dhe konkretisht i brigadës 125.

Mbrojtja e Thaçit, përmes avokates, Nina Tavakoli tha se nuk pret që të këtë pyetje për këtë dëshmitar e ngjashëm edhe ai i Rexhep Selimit, Eric Tully.  Ndërsa, mbrojtja e Krasniqit tha se i duhen më pak se sa që ka parashikuar.

Në prova materiale u pranuan deklarata e më hershme e dëshmitarit si dhe shënimi përgatitor së bashku me materialet shoqëruese si dhe u klasifikuan si konfidenciale.

Po ashtu në prova u pranua edhe fotografia e ndërtesës së konviktit në Prizren.

Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në GjilanBudakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit