SHBA-ja po e shqyrton mundësinë e lehtësimit të sanksioneve ndaj Venezuelës në mënyrë që vendi të fillojë të prodhojë më shumë naftë dhe ta shesë atë në tregun ndërkombëtar, sipas një personi me njohuri të drejtpërdrejta në këtë çështje, raporton CNN.
Kjo masë do të synonte reduktimin e varësisë globale nga nafta ruse në mes të pushtimit rus të Ukrainës dhe izolimin e Rusisë nga një prej aleatëve të saj kryesorë në Amerikën e Jugut, tha burimi i mediumit amerikan, përcjell Gazeta Express.
Zyrtarët e administratës së Biden, përfshirë drejtorin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Hemisferën Perëndimore, Juan Gonzalez dhe i dërguari i posaçëm presidencial i SHBA-së për çështjet e pengjeve, Roger Carstens, u dërguan në Karakas gjatë fundjavës për bisedime lidhur me këtë çështje, tha burimi, si dhe për të diskutuar mbi çështjen amerikane.
Washingtoni vendosi sanksione ndaj naftës nga Venezuela në vitin 2019 dhe e mbylli ambasadën amerikane në Karakas pasi e konsideroi fitoren e e presidentit venezuelian Nicolas Maduro në zgjedhjet e vitit 2018 si vjedhje.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të dielën se SHBA-ja dhe aleatët po eksplorojnë aktivisht mënyra për t’i ndaluar importet e naftës ruse, duke dëmtuar kështu edhe më tej ekonominë e Rusisë. Perëndimi ka hezituar deri më tani të vendosë sanksione të rëndësishme ndaj sektorit energjetik të Rusisë për shkak të ndikimit të tij në ekonominë globale, por tani po i afrohet kësaj pasi Europa po punon për t’i diversifikuar burimet e saj të energjisë