Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se mendon që Vladimir Putini dëshiron paqe. Ukraina dhe aleatët e saj europianë nuk besojnë se ai e dëshiron këtë, ndërsa vetë lideri rus ka thënë se dëshiron paqe, por më pas refuzoi të angazhohej për të kur iu dha mundësia.
Ajo që Putini dëshiron në të vërtetë, megjithatë, është shumë, shumë më e madhe, shkruan CNN në një analizë.
Presidenti rus nuk e ka fshehur kurrë faktin se beson që Ukraina nuk duhet të ekzistojë si shtet i pavarur dhe ai e ka thënë vazhdimisht se dëshiron që NATO të tkurret në madhësinë që kishte gjatë epokës së Luftës së Ftohtë.
Por më shumë se çdo gjë, ai dëshiron ta shohë një rend të ri global – dhe dëshiron që Rusia ta luajë rolin kryesor në të.
Putini dhe disa nga aleatët e tij më të besuar dolën nga mbetjet e KGB-së, agjencisë së inteligjencës së epokës sovjetike. Ata nuk e kanë harruar kurrë poshtërimin e rënies së Bashkimit Sovjetik dhe nuk janë të kënaqur me mënyrën se si ka evoluar bota që atëherë.
Putini erdhi në pushtet gjatë kaosit të viteve 1990, kur ekonomia ruse u shemb dhe duhej të shpëtohej nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore – një tjetër poshtërim për ish-superfuqinë.
Por nga viti 2000, kur Putini u bë president, rritja e qëndrueshme e çmimeve të naftës e bëri Rusinë dhe shumë rusë më të pasur se kurrë më parë. Dhe Rusia kishte një zë. Ajo u ftua të bëhej pjesë e grupit G7 të ekonomive më të mëdha të botës – e cila u riemërua si G8 pas bashkimit të saj.
Por kjo nuk ishte e mjaftueshme për liderin rus, tha Kristine Berzina, një drejtuese menaxhuese në German Marshal Fund të Shteteve të Bashkuara, për CNN.
“Putini ishte i gatshëm ta hidhte të gjithë këtë poshtë në emër të qytetarëve të tij për shkak të synimeve më të larta gjeopolitike”, tha Berzina. Rusia u përjashtua nga G8, u sanksionua nga Perëndimi dhe u izolua në skenën globale për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës.
Berzina tha se nuk ishte kurrë e mjaftueshme për Rusinë të ishte “e teta në G7”.
“Kjo nuk përputhet me kuptimin që Rusia ka për vetveten si një vend i jashtëzakonshëm. Ajo është vendi më i madh në botë, më i pasuri me burime natyrore, pra si mund të jetë thjesht një nga lojtarët?” tha ajo.
Për të kuptuar se çfarë dëshiron Putini nga bisedimet e tanishme me SHBA-në, është e rëndësishme të kujtojmë se dy palët po flasin sepse Shtetet e Bashkuara bënë një kthesë të madhe në politikë nën Trumpin – jo për shkak të një ndryshimi themelor në mendësinë ruse.
Trump dëshiron që lufta në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, edhe nëse kjo do të thotë humbje të mëtejshme territoriale për Ukrainën.
Kjo do të thotë se Putini ka pak për të humbur duke negociuar.
Trump ka pretenduar se “Rusia i ka të gjitha kartat” në luftën me Ukrainën, por fusha e betejës ka qenë kryesisht e bllokuar për dy vitet e fundit.
Ndërsa Rusia po bën disa përparime të vogla, ajo definitivisht nuk po fiton – megjithëse kjo mund të ndryshojë nëse SHBA do ta ndalojë furnizimin me armë dhe inteligjencë për Ukrainën.
“Putini hyri në Ukrainë duke menduar se do të ishte një operacion i lehtë dhe i shpejtë. Tre vjet më vonë, ai kontrollon 20% të Ukrainës, por me një kosto të tmerrshme. Në thelb, rusët po humbasin. Gjëja është se ukrainasit po humbasin edhe më shpejt”, i tha CNN analisti i njohur për Rusinë, Mark Galeotti.
Për Putinin dhe njerëzit rreth tij, presioni i Trumpit për një armëpushim paraqet thjesht një mundësi për të siguruar fitore të shpejta duke mbajtur sytë te qëllimet afatgjata, tha ai.
“Putini është oportunist. Ai pëlqen të krijojë situata dinamike, kaotike, të cilat krijojnë një sërë mundësish. Pastaj ai mund të zgjedhë cilën mundësi i pëlqen dhe mund të ndryshojë mendje”, tha Galeotti.