23.6 C
New York
Sunday, June 22, 2025

Buy now

CNN: Irani përballet me zgjedhje të vështira ndërsa kalibron lëvizjen e radhës kundër SHBA-së e Izraelit

- Advertisement -

 

Vendimi i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’i goditur objektet bërthamore të Iranit e vendos Lindjen e Mesme në një situatë të paqëndrueshme, thonë analistët, me të gjithë sytë tani të drejtuar nga lëvizja e ardhshme e Teheranit.

Në një rajon tashmë në ankth, sulmet ajrore të Trumpit vendosin disa opsione në tryezë për Iranin, thonë analistët. Të gjitha mbartin rreziqe të brendshme për Iranin dhe për mbijetesën e ardhshme të udhëheqësve të vendit.

Diplomacia: E para është që Irani mund të kthehet në tryezën e negociatave.

“Është një nxitje e madhe për ta përfunduar luftën dhe për ta shpëtuar regjimin”, tha për CNN Amos Yadlin, një ish-shef i Inteligjencës Ushtarake Izraelite.

Irani mund të “shpallë se po vjen për të negociuar dhe të kërkojë përfundimin e luftës. Të negociojë mbi bazën e pasurimit zero (të uraniumit)”, tha Yadlin.

Yadlin tha se Irani mund të largohet gjithashtu nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) i Kombeve të Bashkuara, në të cilin ka premtuar se nuk do ta zhvillojë një bombë. Megjithatë, “aftësitë e Iranit për ta ndërtuar një bombë nuk ekzistojnë gjatë një apo dy viteve të ardhshme”, shtoi ai.

Por a do të toleronin linjat e ashpra konservatore të Iranit një përgjigje thjesht diplomatike ndaj një sulmi nga forcat amerikane në tokën iraniane?

Kundërsulm: Një tjetër opsion është që Irani të hakmerret, duke e tërhequr potencialisht SHBA-në dhe Lindjen e Mesme më gjerësisht në një konflikt të ndërlikuar dhe të zgjatur.

Irani ka thënë “disa herë” se nëse SHBA “bashkohet me këtë luftë dhe sulmon objektet e tyre bërthamore, ata do të hakmerren kundër forcave amerikane në rajon, kundër interesave amerikane, dhe ka shumë prej tyre”, tha analisti politik dhe i çështjeve globale i CNN, Barak Ravid.

Irani gjithashtu mund të zgjedhë ta mbyllë ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin e naftës, gjë që i jep atij fuqinë për të ndikuar në “të gjithë transportin tregtar në Gjirin Persik”, tha Ravid.

“Kjo do t’i rrisë çmimet e energjisë. Kjo do të ndikojë në të gjithë ekonominë botërore”, shtoi ai.

Një këshilltar i njohur i liderit suprem të Iranit tashmë ka bërë thirrje për sulme me raketa dhe për mbylljen e ngushticës së Hormuzit.

“Pas sulmit të Amerikës ndaj instalimit bërthamor Fordow, tani është radha jonë”, paralajmëroi Hossein Shariatmadari, kryeredaktori i gazetës së vijës së ashpër Kayhan, një zë i njohur konservator që më parë është identifikuar si “përfaqësues” i Khameneit.

Levrimi gjeografik mbi transportin global i jep Iranit “aftësinë për të shkaktuar një tronditje në tregjet e naftës, për t’i rritur çmimet e naftës, për ta nxitur inflacionin, për ta shembur agjendën ekonomike të Trumpit,” tha për CNN studiuesi i Lindjes së Mesme, Mohammad Ali Shabani.

S’ka opsion të lehtë: Khamenei “ka një vendim për të marrë” dhe ka gjasa që do të përgjigjet, tha analisti i CNN, Aaron David Miller, duke shtuar se është “gati e pamundur” të imagjinohet “që ky lider 86-vjeçar, qëllimi thelbësor i të cilit është ta ruajë revolucionin dhe ta kalojë te një nga pasardhësit e tij, thjesht mund të mos bëjë asgjë”.

“Ai mund të duhet ta kalibrojë përgjigjen e tij, por dyshoj se kjo histori ka përfunduar”.

Të ngjashme

Të fundit