Administrata e presidentit amerikan Donald Trump është e përgatitur të njohë kontrollin rus mbi Krimenë si pjesë e një propozimi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ka bërë të ditur një burim i mirëinformuar me negociatat, transmeton CNN.
Sipas këtij burimi, propozimi përfshin edhe vendosjen e armëpushimit përgjatë vijave aktuale të frontit. Plani i paqes tashmë i është paraqitur përfaqësuesve evropianë dhe ukrainas gjatë një takimi të mbajtur në Paris të enjten.
Korniza e paqes është diskutuar gjithashtu gjatë një bisede telefonike mes sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov.
“Ende ka pjesë të marrëveshjes që duhet të përpunohen. SHBA-ja synon të punojë me Evropën dhe Ukrainën për t’i finalizuar gjatë javës së ardhshme në Londër”, ka thënë burimi.
Në të njëjtën kohë, administrata Trump po përgatit takim tjetër mes të dërguarit të presidentit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe diplomatëve rusë, me qëllim që Moska të pajtohet me kornizën e propozuar nga SHBA-ja.
Rusia mori kontrollin e gadishullit të Krimesë në vitin 2014 dhe më pas e aneksoi— një veprim që u konsiderua i paligjshëm nga shumica e komunitetit ndërkombëtar. Ky zhvillim hapi rrugën për pushtimin e plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.