Cardi B iu kundërpërgjigj Elon Musk-ut pasi ai e quajti “kukull” pas një momenti konfuzioni që pati gjatë një problemi teknik në mitingun e Kamala Harris në Milwaukee të premten.
“Unë nuk jam një kukull, Elon” shkroi këngëtarja e “WAP” në platformën X të shtunën. “Jam vajza e dy prindërve emigrantë që kanë punuar shumë për të më siguruar jetesën. Jam produkt i ndihmës sociale.” shtoi Cardi, 32 vjeç, duke iu referuar programit të ndihmës për qiranë për familjet me të ardhura të ulëta.
“Jam produkt i varfërisë dhe produkt i asaj që ndodh kur sistemi është i ngritur kundër teje… Por ti nuk di asgjë për këtë. Ti nuk di asgjë për betejën amerikane,” shtoi ajo, duke iu drejtuar Musk-ut.
Përgjigjja e saj erdhi pasi Musk, postoi në X një video të këngëtares, e cila nuk pati fjalimin më të mirë në mitingun e Kamala Harris. “Një tjetër kukull që nuk mund të flasë pa ia lexuar dikush fjalët,” shkroi themeluesi i Tesla-s. “Fushata e Kamalës nuk ka asnjë origjinalitet apo empati të vërtetë.”
Të premten, Cardi pranoi se ishte “pak nervoze” kur nuk mundi të lexonte fjalimin nga teleprompteri.
“Kam pritur këtë moment gjithë jetën time. Gjithë jetën time!” tha ajo, duke shtuar se i duhej “durim” nga turma.
“A jemi gati të ndryshojmë për tetë vitet e ardhshme?” pyeti ajo më pas publikun. “Sepse do të sigurohemi që Kamala Harris të jetë në detyrë për tetë vjet!”
Më pas, Cardi mori një telefon, në të cilin lexoi fjalimin e saj.