![Çmontohet banda e shqiptarëve në Itali, 61 të arrestuar Çmontohet banda e shqiptarëve në Itali, 61 të arrestuar](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2025/02/Capture-23-752x383-1.png)
Dy grupe kriminale, të përbëra kryesisht nga shqiptarë janë çmontuar nga policia italiane këtë të mërkurë. Këto grupe ishin të specializuara në vjedhje të mallrave luksoze dhe trafik droge.
Mediat italiane, deri më tani raportojnë për 61 të arrestuar. Policia italiane, në njoftimin zyrtar tha gjithashtu se janë sekuestruar 8 milionë euro kokainë dhe hashash, të cilat siguroheshin nga shitja e mallrave të vjedhura dhe paratë e përfituara prej tyre.
Mes të arrestuarve është edhe një police që shërbente në Rimini, e dyshuar për bashkëpunim me bandën kriminale. Hetimet kanë zbuluar se grupi kriminal ishte përgjegjës edhe për një grabitje të një burri, që i kishin marrë një orë luksoze “Rolex” me vlerë 45 mijë euro. Efektivja e arrestuar dyshohet se kishte treguar vendndodhjen e shtëpisë së personit që kishte orën.
Grupi dyshohet gjithashtu se është përfshirë në një vjedhje në shtëpinë e 78-vjeçares Pierina Paganelli, e cila humbi jetën gjatë sulmit. Hajdutët kishin thyer një kasafortë në banesën e saj, e cila më pas u gjet e zbrazët në një fushë. Megjithatë, hetimet e deritanishme nuk kanë zbuluar ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë mes bandës dhe vrasjes së pensionistes.
Trafiku i drogës dhe pastrimi i parave
Dy grupet kriminale vepronin në mënyrë të organizuar, duke përdorur të ardhurat nga vjedhjet për të financuar trafikun e drogës. Ata kishin krijuar një rrjet të fuqishëm për shpërndarjen e kokainës dhe hashashit, të importuar nga jashtë. Gjatë operacionit u sekuestrua drogë me vlerë mbi 8 milionë euro, por fitimet nga shpërndarja e saj mund të arrinin deri në 25 milionë euro Në një kohë të shkurtër, banda kishte grumbulluar një sasi të madhe mallrash luksi, përfshirë 40 orë të markave të njohura me vlerë totale 800 mijë euro, si dhe 20 mijë euro cash.
Gjatë kontrolleve, policia gjeti edhe armë zjarri, përfshirë pushkë me municione, të cilat ishin vjedhur në rajonet e Romagnas dhe Lombardisë./vizionplus/