Ajo tha se deklarata ka qenë një gabim i paqëllimshëm dhe se në fakt bëhej fjalë për numrin e rasteve kriminale në të cilat kanë qenë të përfshira bandat serbe në veri të vendit.
Osmani tha se korrigjimi është bërë menjëherë: “Dje kemi dhënë një sqarim zyrtar. Janë bërë ndryshimet e nevojshme dhe ka qenë e qartë se ajo që kam pasur në mendje ka qenë numri i rasteve”.
Ajo deklaroi se bandat serbe janë përfshirë në qindra raste kriminale, duke filluar nga keqpërdorimi i votave e deri te dhuna ndaj qytetarëve.
“Bandat serbe kanë qenë të involvuara në qindra raste – qoftë në keqpërdorimin e votave nga viti 2021 e tutje, pastaj në presionin e vazhdueshëm ndaj qytetarëve të tjerë serbë, futjen e armëve ilegale, dhunën ndaj qytetarëve, djegien e makinave, si dhe sulmet ndaj gazetarëve. Vetëm 93 raste i kemi të evidentuara ndaj ushtarëve të KFOR-it”, u shpreh ajo.
Presidentja tha se deklarata e saj nuk ka dalë në mediat ndërkombëtare, pasi korrigjimi është bërë zyrtarisht dhe në kohë:
“Ajo që kam thënë ka qenë e lidhur me rastet, dhe ka qenë një gabim i paqëllimshëm. Menjëherë është bërë ndryshimi i nevojshëm në intervistë dhe as Politico nuk e ka përdorur atë pjesë. Ajo deklaratë nuk ka dalë në mediat ndërkombëtare sepse jemi siguruar që të bëhet korrigjimi zyrtar”.
Osmani tha se transparenca dhe saktësia mbeten prioritete të presidencës, sidomos në çështjet që prekin sigurinë dhe stabilitetin në vend.





