Valon Murati, njohës i çështjeve politike, ka reaguar pasi që sot UP ka ndarë çmimet “Alumni Nderi” për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe për kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.
Murati në postimin e tij theksoi se këto çmime janë dhënë në kohë fushate, dhe se, çmimi është dhënë nga ‘‘organizata gati fantome’’.
Ai po ashtu ka deklaruar se ceremonia jepte shije se vetë UP-ja është pjesë e organizimit.
Postimi i plotë:
Një pjesë e njerëzve në mënyrë të paturpshme, çdo gjë që për të tjerët e konsideronin jo vetëm të papranueshme por edhe të pështirë (paçka se në planin e rezultateve konkrete me ta lidhej lufta, çlirimi, liria e pavarësia) për eksponentët e këtij regjimi të sotëm e konsiderojnë jo vetëm se e meritojnë por edhe se ata janë shërbëtorët më të devotshëm të të mirës publike.
Madje për ta çdo gjë dhe në çdo kohë është e lejueshme. Andaj, kështu mendojnë për ta edhe kur në kohë fushate marrin çmime nga organizata gati fantome alumni të studentëve të UP-së (por që krejt ceremonia jepte shije se vetë UP-ja është pjesë e organizimit) dhe kur po ashtu në kohë fushate shpërndajnë nga 100 euro për studentët. O tempora, o mores!