23.9 C
New York
Wednesday, August 13, 2025

Buy now

Çmimi më i rrallë në futboll – këta do të ishin 10 kandidatët për Super Topin e Artë

- Advertisement -

Topi i Artë konsiderohet çmimi individual më prestigjioz në futboll, por ekziston një çmim edhe më i rrallë dhe ekskluziv – Super Topi i Artë.

Ky trofe është dhënë vetëm një herë në histori, në vitin 1989, kur legjenda Alfredo Di Stéfano u shpall lojtari më i mirë i tre dekadave të mëparshme, duke lënë pas emra si Johan Cruyff dhe Michel Platini.

Ndërsa po flitet për mundësinë që ky çmim të rikthehet në vitin 2029, portali anglez GiveMeSport ka përzgjedhur listën e 10 kandidatëve kryesorë që mund të pretendojnë këtë nder të jashtëzakonshëm.

10. Xavi Hernández

Truri i Barcelonës legjendare dhe i kombëtares spanjolle gjatë epokës së artë, Xavi ishte dirigjenti që kontrollonte ritmin e lojës. Ai fitoi tetë tituj të La Ligës, katër Liga Kampionësh, një Kupë Bote dhe dy Kampionate Evropiane, duke u bërë një nga mesfushorët më të mëdhenj të historisë.

Xavi Hernandez (Getty Images)

9. Luka Modrić

Maestro kroat ka fituar gjashtë Liga të Kampionëve me Real Madridin dhe në vitin 2018 u shpall fitues i Topit të Artë, duke thyer dominimin e Messit dhe Ronaldos. Pas sukseseve të tij me Kroacinë dhe klubin, Modrić është simbol i elegancës dhe jetëgjatësisë në futbollin modern.

8. Gianluigi Buffon

Një nga portierët më të mëdhenj të historisë, Buffon ka fituar Kupën e Botës 2006 dhe 10 tituj të Serie A. Rekordi i tij me më shumë paraqitje në kampionatin italian e bën të paharrueshëm, pavarësisht se Liga e Kampionëve i shpëtoi pa e fituar.

7. Andrés Iniesta

Shok i pandashëm i Xavit te Barcelona dhe Spanja, Iniesta do të mbahet mend për golin vendimtar në finalen e Kupës së Botës 2010. Ai fitoi të gjitha trofetë e mëdhenj të mundshëm dhe mbetet një ikonë e teknikës dhe thjeshtësisë në lojë.

6. Paolo Maldini

Simbol i besnikërisë dhe jetëgjatësisë, Maldini luajti tërë karrierën te AC Milan, duke fituar pesë Liga të Kampionëve dhe shtatë tituj të Serie A. Ai është i vetmi lojtar që ka fituar një trofe evropian në tre dekada të ndryshme.

5. Ronaldinho

Magjia braziliane që e ktheu futbollin në spektakël. Fitues i Topit të Artë, Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Botës, Ronaldinho inspiroi miliona tifozë me aftësitë e tij unike, edhe pse karriera e tij në kulm zgjati pak.

4. Ronaldo Nazário

“Fenomeni” ishte sulmuesi i frikshëm që kombinoi shpejtësinë, forcën dhe teknikën. Dy herë fitues i Topit të Artë dhe kampion bote në 2002, Ronaldo do të kishte arritur edhe më shumë po të mos e pengonin lëndimet.

3. Zinedine Zidane

Mesfushori francez fitoi Kupën e Botës, Kampionatin Evropian dhe Ligën e Kampionëve, duke u bërë një nga figurat më të respektuara në futboll. Eleganca dhe vizioni i tij në fushë e bënë “Zizou” një ikonë të përjetshme.

2. Cristiano Ronaldo

Me pesë Topa të Artë, pesë Liga të Kampionëve dhe tituj në tre kampionatet më të forta evropiane, CR7 është simbol i punës dhe përkushtimit. Trofeu i vetëm i madh që i mungon është Kupa e Botës.

1. Lionel Messi

Rekordmeni me tetë Topa të Artë, fitues i Kupës së Botës 2022 dhe dhjetëra trofe të tjerë, Messi konsiderohet gjerësisht lojtari më i madh i të gjitha kohërave.

Nëse Super Topi i Artë rikthehet, ai do të ishte kandidati kryesor për ta fituar.

/Telegrafi/ 

Të ngjashme

Të fundit