Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka mbajtur konferencën vjetore 2025, ku kryetari Agim Shahini tha se sektori privat është goditur rëndë nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, duke shkaktuar ulje të prodhimit, reduktim të punëtorëve dhe largim të disa kompanive nga Kosova, raporton Ekonomia Online.
Ai theksoi se energjia mbetet sfidë edhe për vitin 2026 dhe kërkoi zbatim të vendimit të Gjykatës Supreme nga ZRRE-ja, si dhe angazhim më serioz të institucioneve për ekonominë.
“Nuk na ka ardhur mirë asnjë nga bizneset nga sektori privat, sidomos me shtrenjtimin e energjisë elektrike, e cila krijoi turbulenca të mëdha te investitorët vendorë dhe të huaj. Patëm raste ku kompanitë reduktuan numrin e punëtorëve dhe prodhimin, por disa edhe u larguan me kapitalin e tyre në Ballkanin Perëndimor. Sfidë mbetet energjia elektrike ende edhe për vitin 2026, e cila, edhe përkundër vendimit të Gjykatës Supreme, ZRRE-ja ende nuk po e zbaton. Shpresoj që Kuvendi i Kosovës do të konstituohet shpejt, komisionet do të merren seriozisht me këtë problem dhe ekonomisë t’i jepet drejtimi i duhur”, tha Shahini.
Shahini ka nënvizuar se rritja ekonomike gjatë këtij vitit ishte mesatarisht 3.5 për qind, ndërsa produktet e konsumit pësuan rritje mesatarisht 18 për qind.
“Rritja e ekonomisë në këtë vit për AKB ishte mesatarisht 3.5%, po ashtu inflacioni mund të mbulohet diku rreth katër për qind. Shtrenjtimet e produkteve kanë pësuar rritje 12–15% të të gjitha produkteve për konsum. Edhe pagat në sektorin privat u rritën mesatarisht 18%, por kjo nuk është e mjaftueshme duke marrë parasysh rritjen e çmimeve; kjo ka goditur në të gjithë sektorët. Energjia elektrike ka goditur shportën e konsumatorëve, prandaj shporta konsumuese është varfëruar mesatarisht 11%. Kjo na jep sinjal që Qeveria e ardhshme duhet të merret me ekonominë e brendshme”, tregon Shahini.
Shahini madje ka theksuar se eksporti ka rënie në krahasime importet. Këtu ai bëri thirrje për stabilitet politik, siguri për investitorët dhe fokus në ekonominë e brendshme.
“Po ashtu, eksporti ka rënie në krahasim me importet, ndërsa importi shënoi rritje të mëdha. Ne gjithmonë kemi tentuar ta rrisim vendin e konsumit të produkteve vendore, por mbesim konsumatorë të produkteve të huaja. Mirë ndodhi që pas dy vitesh sanksione është dhënë paralajmërim se do të hiqen. Neve na mbetet sfidë integrimi i Kosovës në BE; pas sanksioneve kemi shumë hapësira të aplikojmë nëpër fonde evropiane. Inkurajoj qeverinë e re të jetë më e kujdesshme me faktorin ndërkombëtar. Në ditët e para të formimit të qeverisë, ftoj të bëhet një strategji e përbashkët kombëtare, që është ekonomia, dhe do të kemi mundësi që edhe politikat sociale të avancohen edhe më shumë. Ftoj sa më shumë institucionet e Kosovës që të sigurojnë sa më shumë siguri për investitorët e huaj dhe vendorë. Kemi pasur sulme të vazhdueshme për Kosovën, se mund të ketë luftë, se është vend i pasigurt; kjo ka ardhur edhe nga faktorë të huaj ose armiq të Kosovës. Kjo duhet të hiqet për të ndërtuar një ekonomi më të qëndrueshme.”
Ndërkohë, drejtoresha e AKB-së, Lumnije Ajdini, tha se oda ka zhvilluar takime me prodhues vendorë, ambasada dhe partnerë strategjikë, duke promovuar produktet vendore dhe duke kërkuar rifunksionalizimin e Këshillit Ekonomik. Ajo theksoi nevojën për një strategji kombëtare të eksportit me synim rritjen e eksporteve dhe uljen e importeve.
“Sektori privat është ballafaquar me sfida të ndryshme; nuk ka qenë një vit i kënaqshëm. Ne si AKB kemi realizuar takime me fabrika me qëllim që të promovojmë prodhimet vendore. Sa i përket takimeve të rregullta, kemi pasur takime me prodhuesit vendorë, ku janë diskutuar sfidat, përfshirë energjinë elektrike të lartë. Kemi pasur takime të ndryshme me ambasadat dhe bashkëpunëtorët strategjikë, kemi përcjellë edhe seanca plenare. Shpresoj që shumë shpejt të marrim statusin në përfaqësime ndërkombëtare. Kemi bërë thirrje për konsum të produkteve vendore. Kemi pasur edhe Darkën e Bereqetit, ku janë ndarë mirënjohje për bizneset. Sa i përket rekomandimeve, ne presim si AKB që të kemi bashkëpunim më të ngushtë me institucionet, të rifunksionalizohet Këshilli Ndërkombëtar Ekonomik dhe kërkojmë që gjatë këtij viti të bëjmë një hartim strategjik të eksportit me qëllim rritjen e eksportit dhe minimizimin e importit”, tha Ajdini.






