22.4 C
New York
Monday, June 9, 2025

Buy now

Çmimet e konsumit më të larta krahasuar me vitin e kaluar

- Advertisement -

Tre për qind janë më të larta çmimet e konsumit sivjet, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Këto statistika i ka publikuar së fundmi Agjencia e Statistikave të Kosovës. Por, pavarësisht shifrave zyrtare, qytetarët konsiderojnë se çmimet po bëhen të papërballueshme.

Nëpër rrugët e qytetit të Prishtinës, qytetarët largohen nga marketet me qese gjysmë të mbushura. Jo sepse raftet janë bosh, por sepse buxhetet e tyre nuk përballojnë barrën e ngritjes së çmimeve.

Qytetarët e intervistuar thonë se rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës po prek gjithçka, por më së shumti ushqimet bazë.

“Çmimet janë shumë, shumë të shtrenjta. Nuk na mbeten para në kuletë dhe as ushqimin nuk mundemi ta blejmë aq sa na nevojitet, sepse nuk kemi buxhet dhe nuk kemi të ardhura.”

“Çmimet nuk janë në rregull. Për çdo ditë ndryshojnë. Jam duke u çuditur se si po jeton ky popull”, thotë Arsim Canolli, qytetar.

“Po, janë të shtrenjta, sidomos ushqimi. Gjerat tjera nuk janë aq të shtrenjta, por ushqimi është shumë i kushtueshëm. Prandaj ka probleme në popullatë, sepse të gjitha të hollat po shpenzohen për ushqim”, thotë Muhamet Demiri, qytetar.

Nga qytetarët e zakonshëm, tek organizatat që mbrojnë të drejtat e konsumatorëve, shqetësimi është i përbashkët.

“Të gjitha çmimet në Republikën e Kosovës janë të stërngritura, të tepruara dhe shpeshherë manipulative. Ato kanë trajta spekulative dhe kjo ndikon negativisht edhe në prodhimin vendor. Për shkak të përpjekjes për të ndjekur çmimet e ngritura, prodhimi vendor humb hapin në garën ekonomike. Kështu, vazhdojmë të kemi 90 për qind importe dhe vetëm 10 për qind prodhim vendor. Do të duhej të ishte e kundërta”, tha Selatin Kaçaniku nga shoqata “Konsumatori”.

Sipas tij, asnjë qeveri deri më sot nuk e ka vendosur qytetarin konsumator në qendër të politikave publike.

“Asnjë parti nuk e ka marrë seriozisht këtë çështje. Gjëja e parë që duhet të bëjë qeveria aktuale është ta njohë qytetarin konsumator. E dyta, të krijojë një treg funksional dhe e treta, të sigurojë zbatimin e ligjeve – nga një nivel -40 ta ngrisë në +100. Këto janë tri detyrat kryesore, nëse ka vullnet dhe aftësi për t’i realizuar”, shtoi Kaçaniku.

Ndërkohë, të dhënat më të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se çmimet e konsumit në Kosovë u rritën për 3 për qind në muajin prill 2025, krahasuar me prillin e vitit të kaluar.

Sipas ASK-së, rritjet më të mëdha janë shënuar te kafeja, çaji, vajrat, mishi, energjia elektrike, si dhe produktet e qumështit dhe vezët. Krahasuar me muajin mars, çmimet janë rritur për 0.2 për qind. Ndërkohë, çmimet e karburanteve kanë shënuar ulje./RTK

Të ngjashme

Të fundit