Nga Bekim Selishta
Nuk është as etike dhe as morale që, në këto momente historike të turbullta politike – si në planin lokal ashtu edhe në atë global – të gjykohen çlirimtarët e Kosovës nga Gjykata Speciale pa fakte dhe pa asnjë dëshmi reale për krime lufte. Këto akuza të fabrikuara janë produkt i atyre që kurrë nuk ia kanë dashur të mirën këtij vendi dhe që synojnë ta njollosin luftën e drejtë për liri.
Gjyshi im i ndjerë, i cili ndërroi jetë në vitin 1998, kishte një fjalë që më ka mbetur thellë në mendje:
“Po të më mjaftonte edhe vetëm një orë jetë, do ta doja ta jetoja në Kosovën e lirë.”
Ai u nda nga kjo botë pikërisht në kohën kur nisën aksionet e UÇK-së, duke u larguar me ëndrrën e një Kosove të çliruar nga pushtimi serb dhe të bashkuar me Shqipërinë.
Sot, fatkeqësisht, shohim se disa dashakeqë gëzohen kur dënohen ata që i nisën aksionet kundër kriminelëve serbë, që nga viti 1998, në mbrojtje të popullatës civile. UÇK-ja ishte një guerilë e lindur nga revolta ndaj dhunës sistematike, shtypjes dhe krimeve që Serbia ushtroi për dekada me radhë mbi popullin shqiptar.
Ironia më e madhe është se sot jetojmë në një Kosovë të lirë dhe të pavarur, falë asaj lufte, e megjithatë po i gjykojmë ata që u ngritën kundër regjimit kriminal serb, ndërkohë që Serbia vazhdon të mos kërkojë falje dhe të mos japë drejtësi për krimet e saj.
Ne duhet ta duam dhe ta mbrojmë të vërtetën tonë përballë Serbisë, duke mos lejuar që ndasitë politike, inatet dhe garat e brendshme të na përçajnë. Kombi dhe ata që sakrifikuan për kombin duhet të jenë mbi politikat ditore dhe interesat e ngushta partiake. Çlirimtarët meritojnë respekt, dinjitet dhe mbrojtje, sepse pa ta nuk do të kishim as liri, as shtet.






