Hillary Clinton, ish-sekretare e Shtetit e SHBA-së, ka deklaruar se strategjia e fundit e sigurisë kombëtare përmban “përçarje të panevojshme” me partnerët e Washingtonit, transmeton Anadolu.
Clinton në fjalën e saj në Forumin e Dohas në Katar tha se strategjia sinjalizon një zhvendosje të madhe të SHBA-së larg aleancave që prej kohësh kanë përcaktuar politikën e saj të jashtme, të cilat sipas saj, ishin çelësi i ndikimit global të vendit.
“Pra, nëse e shikoni, ekziston një akuzë shumë e fortë ndaj Evropës dhe veçanërisht ndaj qasjes së hapur të Evropës dhe përbërjes së popullsisë së Evropës. Dhe, kjo për mua është një përçarje e panevojshme midis nesh dhe vendeve me të cilat kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe shumë gjëra që janë të nevojshme për sigurinë tonë”, tha Clinton.
Strategjia 33-faqëshe, e publikuar të enjten, thekson zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në hemisferën perëndimore, ribalancimin e tregtisë globale dhe forcimin e sigurisë kufitare.
Ajo gjithashtu përfshin vëzhgime të diskutueshme rreth Evropës, duke pretenduar se rënia ekonomike e kontinentit është eklipsuar nga “perspektiva reale deh më e zymtë e zhdukjes së qytetërimit” brenda 20 viteve të ardhshme.
Clinton shprehu shqetësim se presidenti amerikan, Donald Trump, që nga fillimi i mandatit të tij të dytë i ka vënë “një theks shumë të madh largimit” nga ato që ajo i quajti “vlera thelbësore amerikane”.
Ajo pretendoi se Trump “shumë rrallë” e kritikoi presidentin rus, Vladimir Putin, për luftën në Ukrainë dhe më pas i bëri presion Ukrainës të pranojë një armëpushim të negociuar dhe një marrëveshje të paqes që “nga çdo matje objektive do t’i linte ata të cenueshëm ndaj veprimeve të mëtejshme ruse”.
“Jam e zemëruar për atë që ndodhi më 7 tetor (2023) në Izrael dhe atë që ndodhi në Gaza. Jam e zemëruar për atë që po bën Rusia në Ukrainë. Jam e zemëruar për Sudanin. Jam e zemëruar për Kongon Lindore. Mendoj se të gjithë duhet t’i shohim tragjeditë dhe konfliktet që po sjellin kaq shumë vuajtje dhe të merremi me to. Kjo është arsyeja pse strategjia e sigurisë kombëtare nuk është siç dëshiroj unë”, theksoi ish-sekretarja e shtetit amerikan.
Më tej, Clinton tha se Washingtoni ka një rol kyç për të luajtur në zgjidhjen e këtyre konflikteve, duke lehtësuar vuajtjet dhe duke u dhënë njerëzve një mundësi për jetë paqësore dhe të begatë. Ajo shtoi se kjo është edhe në interes të Amerikës.
Lidhur me Lindjen e Mesme, ajo tha se zgjidhja me dy shtete mbetet e “vetmja rrugë realiste” përpara, megjithatë theksoi se së pari duhet të rritet ndërgjegjësimi i njerëzve për perspektivat historike.
“Ne nuk do ta zbatojmë planin e paqes me 20 pika ose ndonjë plan tjetër të paqes, përveç nëse njerëzit vijnë me një ndjenjë perspektive historike dhe empatie rreth mënyrës se si do t’i çojmë njerëzit drejt asaj që unë ende besoj se është i vetmi rezultat realist, një zgjidhje me dy shtete”, tha Clinton.






