Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, po qëndron për vizitë në Kosovë, ku sot është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Clark ka folur për kohën kur udhëhoqi bombardimet e NATO-s për çlirimin e Kosovës, ku përmendi rolin e LDK-së dhe Ibrahim Rugovës gjatë asaj kohe.
Clark gjatë fjalës së tij tha se populli i Kosovës ka kaluar një periudhë të vështirë gjatë luftës së fundit.
“Ka vetem një arsye pse intervenimi i NATO-s në Kosovë kishte sukses, ajo quhet LDK” – ka thënë ai.
Më tej, Clark ka falënderuar LDK-në.
“Faleminderit shumë Lidhja Demokratike e Kosovës, sa herë që kthehem këtu, befasohem me progresin që është bërë”, tha gjenerali Clark.
Ndërkohë, gjeneralit në pension iu nda Dekorata “Dr. Ibrahim Rugova” për rolin historik dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës nga kryetari i kësaj partie, Lumir Abixhiku.
Abdixhiku ka thënë se kontributi i Clark është një gurthemel në historinë tonë.
“Prania juaj sot këtu është një dëshmi e thellë e lidhjeve të qëndrueshme të miqësisë dhe solidaritetit që keni përfaqësuar përmes shërbimit tuaj të jashtëzakonshëm dhe mbështetjes themelore për popullin e Kosovës. Gjeneral Clark, emri juaj është i gdhendur në themelet e historisë së Kosovës si simbol i guximit, lidershipit dhe i një përkushtimi të palëkundur për drejtësi dhe paqe.” – ka thënë ai.
Më tej, Abdixhiku ka thënë se vendosmëria dhe veprimet veprimtare Clarkut i dhanë shpresë dhe forcë një kombi të etur për liri.
“Udhëheqja juaj gjatë ndërhyrjes së NATO-s ishte një pikë kthese që jo vetëm ndryshoi rrjedhën e historisë sonë, por edhe siguroi mbijetesën dhe të ardhmen e jetëve të panumërta – të njerëzve tanë!”
“Gjeneral Clark, kjo dekoratë jo vetëm që simbolizon vlerësimin tonë të thellë, por edhe njohjen tonë për vlerat që ju përfaqësoni – vlera që përputhen ngushtë me vizionin e udhëheqësit tonë të nderuar, Dr. Ibrahim Rugova” – ka thënë ndër të tjera ai.