Sulmi terrorist ndaj kanalit të ujit të Ibër Lepencit më 29 nëntor mobilizoi të gjitha institucionet vendore.
Fillimisht, çdo infrastrukturë kritike në vend, në bazë të vendimit të Këshillit të Sigurisë së Republikës, nisi të monitorohej nga zyrtarë policorë apo ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në ndërkohë, një ditë pasi që ndodhi sulmi, vet drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla paraqitën sasinë e madhe të armatimit dhe municionit që u sekuestruan gjatë bastisjeve afër vendit ku u krye sulmi.
Aty u tregua se në 10 lokacione në veri të vendit janë kryer kontrolle, me ç’rast ishin arrestuar 8 persona të dyshuar për përfshirje në atë akt.
“Janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 raketë hedhës dore ose zolla prej të cilave tri janë të përdorura, tri granata dore, 2 armë automatike AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për lëndët plasëse, helmeta ushtarake, thika, të holla në euro dhe dinarë”, kishte thënë Hoxha.
Të arrestuarit e tjerë u liruan, përveç Jovan Viqentijeviqit dhe Dragisha Viqentijeviqit, që dolën para gjykatës.
Sipas prokurorisë ata dyshohet që kishin lidhshmëri me rastin. Të dyve Gjykata ua caktoi nga një muaj paraburgim.
Në shtëpitë e tyre është gjetur municion, por kjo sipas avokatëve mbrojtës, nuk provon dyshimin e bazuar se ata janë përgjegjës për sulmin.
Gati një muaj pas sulmit, kryeministri Albin Kurti bëri Milan Radoiçiqn përgjegjës për planifikimin e tij.
“Për realizmin e tij, bazuar në të dhënat e deri tanishme, janë përfshirë dy grupe në kuadër të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” e cila financohet nga Serbia dhe trajnohet në vazhdimësi atje. Grupi i parë, ka ofruar mbështetjeje logjistike në terren. Ndërkaq, grupi i dytë – disa persona profesionist, ku besohet se ka pasur edhe persona nga strukturat e caktuara të sigurisë së Serbisë, të afërta me Millan Radoiçiq, janë përfshirë në realizmin e sulmit”, kishte thënë Kurti.
Në ndërkohë, veprime për sanimin në Kanalin e dëmtuar vazhduan dhe akoma nuk janë përfunduar plotësisht.
Më të lehtë situatën e bëri ndërtimi i një bypassi apo devijimi, i cili mundësoi rrjedhën normale të ujit, dhe intervenimin në pjesën e dëmtuar.
Furnizimi me ujë të pijshëm u mundësua brenda javësh, ndërsa ndërtimi i bypassit zgjati një javë.
Në ndërkohë, edhe reagimi i ndërkombëtarëve për këtë çështje ishte i menjëhershëm dhe i ashpër.
Ishte Bashkimi Evropian që e quajti akt terrorist dhe të neveritshëm.
“BE-ja e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër-Lepencit në Zubin Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës”.
Sulmin e dënuan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i dhanë mbështetje Qeverisë.
“Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”, ka thënë ambasadori Jeff Hovenier.
Mbështetje Kosovës i ofruan edhe shtete tjera të QUINT-it.
Në ndërkohë, pavarësisht që Kosova vazhdon të drejtoj gishtin kah Serbia për sulmin në kanal, Beogradi këtë vazhdon ta mohoj përfshirjen.