7.1 C
New York
Saturday, December 28, 2024

Buy now

Çka nuk ka përjetuar Kosova dhe ne, si qytetarë të saj, në gjysmë shekullin e fundit

- Advertisement -
Nga Blerim Shala

 

Janë ndërruar dy epoka të mëdha historike dhe politike, kemi kaluar periudhën e okupimit më të egër në Evropë, kemi bërë luftën për çlirim, më në fund, kemi mbërri te pavarësia.

Ama diçka nuk ka ndryshuar gjë prej gjëje tek ne në këto pesëdhjetë vitet e fundit: Mënyra se si televizionet tona e përgatisin programin e ndërrimit të motmoteve.

Sa për këto produktet tona televizive të fundvitit, nuk do të dinim a kemi të bëjmë me vitin e ri 2024, apo me atë 2004, njëzet vjet më parë.

Hitsorikisht, në fillim, RTV Prishtina (i vetmi televizion që ka ekzistuar në Kosovë në vitet e shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta të shekullit të kaluar) ishte autore dhe kreatore e këtij programi. Në ato rrethana, madje, shikuar nga perspektiva e sotme, ajo ka qenë një ofertë solide televizive.

Në vitet e nëntëdhjeta, kur mbetëm pa TV (RTV Prishtina ishte mbyllur me dhunë nga Serbia), mënyra e vetme për të shijuar sadopak një atmosferë ndryshe, paksa më gazmore, për festën e vitit të ri, ka qenë blerja e video-kasetave me një program artistik të përgatitur nga kompanitë private.

Nuk ishte rend i farë kremte të madhe. Natyrisht, urimipër vitin e ri i tëri ndërlidhej me çlirimin e Kosovës. Ajo decenia e fundit e shekullit XX, për të gjithë ne që e mbijetuam, ka zgjatur sa një qindvjeçar i plotë.

Në vitet pas çlirimit, teksa sivjet, në qershor, do ta shënojmë rrafsh një çerek shekulli që prej se jetojmë dhe frymojmë të lirë, edhe pse në rethana krejtësisht të reja, modeli televiziv i përmbajtjes së mbrëmjes së 31 dhjetorit, dhe të ditëve të mëpasme, do të jetë të thuash identik me atë të krijuar tashmë që nga vitet e shtatëdhjeta (të shekullit XX).

Në një mënyrë apo tjetrën, këto programe televizive, i përngjajnë, dikush mund të thotë madje që janë riprodhim i plotë, i dasmave tona. Realisht, dallimi i vetëm është që në dasma nuk ka shkëputje publicitare. Dhe në dasma, ushqimi dhe pijet, natyrisht, servohen prej nikoqirit të saj.

Më në fund, martesa e një çifti që celebrohet në një dasmë, është një përkulje e të gjithë mysafirëve para një dashurie të kurorizuar, që do të sjell edhe vazhdim të jetës. Ndërsa kontinuiteti i jetës është objektivisht, qëllimi kryesor i secilit
njeri: për vete dhe për trashëgimtarët.

Në këtë kontekst, shumëkush mund të shtojë këtu që dasmat televizive që na shfaqen në çdo fundvit, janë një lloj rituali për ta mëshiruar disi ndaj nesh vitin e ri, apo, kohën tjetër me të cilën do të ballafaqohemi në ditët, javët dhe muajtë vijues.

Urimet për njeri-tjetrin, siç e dimë të gjithë, i kemi klishe të njejta tash e njëzet vjet a më shumë (që prej se u çliruam), teksa krejt ne, disi shpresojmë që fatin do ta kemi në anën tonë, të thuash do ta kemi aleat për vete dhe për familjen tona.

Kështu nuk do të ndodhë. Nuk mund ta kemi që të gjithë fatin në anën tonë në vitin e ardhshëm. Megjithëse, këtu nuk do të gabojmë fare nëse ia rikujtojmë vetes atë fatin e madh kolektiv të qershorit të vitit 1999, kur Kosova doli, një herë e përgjithmonë, nga robëria e Serbisë.

Por kjo ndodhë një herë në historinë e një populli. Jo më shpesh.

Ne, në përgjithësi, nuk e kuptojmë dot rrjedhën e kohës. Duam disi që me 31 dhjetor të një viti që po largohet, të ndodhë një lloj i prerjes së kohës, në mes të asaj të vitit të shkuar, dhe kësaj në të cilën po hymë në vitin e ri. E tëra ta çon mallin e kalimit apo,
kërcimit në Parajsë për ata që besojnë në Zot.

Por, ky kalim nënkupton vdekjen së pari.

Ndërsa në këtë rast, kur ecim prej një viti në tjetrin, ne jemi gjallë, e koha është po ajo e njejta, nuk ka ndërprerje dot, nuk ka largim, nuk ka shmangie, por vazhdimësi apo kontinuitet.

Mësimi i gjithë kësaj është që koha të lodhë, të shterrë, të bluan, tek e mbrama, nëse ti vet nuk provon disi ta shfrytëzosh ate (kohën) për ta ndryshuar fatin tënd personal, atë të familjes, më në fund, edhe të gjithë shoqërisë

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit