11.1 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

Çka nënkuptojnë konkretisht masat shtrënguese të BE-së?

- Advertisement -
Kosova po rrezikon të futet për herë të parë në mesin e shteteve të pakta që janë nën sanksionet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas ngurrimit të Qeverisë për të de-përshkallëzuar situatën e krijuar në Veri të Kosovës si pasojë e vendimit – pa koordinim me komunitetin ndërkombëtar – për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Për anëtaren e Grupit Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë (BiEPAG), Donika Emini, qasja e krijuar në opinionin publik, e ndikuar padyshim nga deklaratat krerëve më të lartë institucionalë në vend, se Kosova mundet edhe pa BE-në është e gabuar, meqë sipas saj, elitat politike në vend nuk duhet të guxojnë të krijojnë ambiente të tilla që punojnë në funksion të krijimit të narrativës negative ndaj bllokut evropian, siç ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut nën qeverisjen e kryeministrit Nikola Gruevskit.

“Është shqetësuese që opinioni publik i pranon me lehtësi masat e BE-së në raport me Kosovën, meqë Kosova ende nuk ka formalizuar dhe konsoliduar pozicionin e saj si vend kandidat. Është krijuar përshtypja që funksionimi i brendshëm i Kosovës nuk ndikohet fare nga masat e BE-së”, ka thënë Emini për Albanian Post.

Masat përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga BE-ja dhe vendet anëtare, punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, zvarritja e procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, rishikimi i një pjese të mirë të programeve të financuara nga qeveria amerikane, rishikimi i mbështetjes për Ushtrinë e Kosovës dhe forcat e tjerë të sigurisë, rishikimi i çfarëdo rruge apo instrumenti që Kosovën e afron me NATO-n.

Hapi i parë i cili mund të merret si masë ndëshkuese ndaj Kosovës, siç raportuan AP dhe REL, përfshin pasoja financiare ku parashihet pezullimi domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.

Rishikimi i asistencës që vjen nga programet e para-anëtarësimit në BE, për Eminin, është njëra ndër masat për të cilën Kosova duhet të shqetësohet më së shumti, pasi në praktikë e njëjta përkthehet si humbje e fondeve të BE-së – si investitori më i madh në Kosovë – me pasoja të mëdha për investimet në vend e që mund të kanalizohen edhe si pasoja direkte e indirekte te jetët e qytetarëve.

“Fondi Investues për Ballkanin Perëndimor ka për qëllim avancimin socio-ekonomik të vendeve të rajonit. Ky fond synon që të sjellë investime të domosdoshme në sfera tejet me rëndësi përfshirë këtu energjinë, tranzicionin digjital, bashkëpunimin rajonal e shumë fusha të tjera me rëndësi jetike për ekonominë e vendit”.

Përveç humbjes së milionave, sipas Eminit, kjo masë do ta shkëpusë Kosovën nga vendet e rajonit për sa i përket zhvillimit socio-ekonomik.

“Vendet e rajonit do të përfitojnë nga pjesa e fondeve të cilat nga Kosova kanë shumë potencial të kalohen tek vendet e tjera ashtu siç ka ndodhur me rastin e Turqisë”, ka shpjeguar më tej ajo.

“Izolimi ndërkombëtar” i Qeverisë së Kosovës është një procesi që tashmë ka nisur, pasi sipas Eminit, të enjten është shtyrë takimi konsultativ me organizatat të shoqërisë civile me rastin e raundit të 7-të të nën Komitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri, ndërsa më herët ishte suspenduar takimi i një nën-komisioni, atij për tregti, industri, doganë dhe taksa, i cili do të duhej të mbahej më 8 qershor.

“Kjo shtyrje ndodhi si pasojë e situatës së krijuar. Andaj, kjo është indikatorë që BE-ja e ka seriozisht me masat”, pohon ajo.

Masa tjetër tejet shqetësuese e cila shkëput bashkëpunimin, edhe ashtu fragjil në mes të BE-së dhe Kosovës, sipas Eminit, është pezullimi i punës së përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

“MSA-ja është një marrëveshje kontraktuale e Kosovës me BE e cila ka tejkaluar ndasitë politike në mes të shteteve anëtare në raport me statusin e Kosovës. Kjo marrëveshje nuk është e rëndësishme vetëm për këtë element, ajo drejton reformat e brendshme në vende që kanë për qëllim demokratizimin me qëllim të anëtarësimit në BE”.

Këto grupe të përbashkëta punuese kanë për qëllim gjithashtu, sipas Eminit, avancimin e implementimit të MSA-së në njërën anë dhe krijimin e urave lidhëse të bashkëpunimit teknik dhe politik në mes të Kosovës dhe BE-së në anën tjetër.

“Andaj, kjo masë nuk bllokon vetëm një proces të reformave dhe punën në funksion të implementimit të MSA-së, mirëpo edhe shkëput bashkëpunimin edhe ashtu fragjil në mes të BE dhe Kosovës. Bashkëpunimi në këtë drejtim është imperativ për faktin që Kosova ka nevojë për mbështetjen e BE-së në këtë proces shumë ambicioz për një vend që ka infrastrukturë institucionale shumë të dobët për të ndërmarrë reforma kaq ambicioze”.

Masa e cila parasheh pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga BE-ja dhe vendet anëtare, në përjashtim të takimeve të cilat zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në Veri të Kosovës, sipas Eminit, nuk është asgjë tjetër vetëm një izolim të paprecedent të Kosovës.

“Kjo gjendje do të ketë pasoja afatgjate duke ia humbur Kosovës mundësinë që të tregojë vullnetin politik për reforma demokratike, pra për realizimin e objektivit kryesorë të kësaj qeverie. Izolimi do t’i kushtojë Kosovës shumë politikisht, një vend i cili edhe ashtu me vështirësi ka naviguar në kuluaret e BE-së”.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për dalje nga kriza.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se ka prezantuar një plan prej pesë pikave për uljen e tensioneve në veri: Sundimi i ligjit atje; tërheqja e grupeve të dhunshme; Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë; shpallja e zgjedhje të parakohshme; dhe rikthimi në dialog.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit