Manchester City e ngushtoi avantazhin e Arsenalit në krye të Premierligës në vetëm dy pikë pasi arriti të mbante fitoren në një ndeshje klasike kundër Fulham, ndërsa Erling Haaland theu edhe një rekord tjetër.
“Topçinjtë” do të kenë mundësinë të përgjigjen të mërkurën kur të përballen me Brentford, por skuadra e Pep Guardiolës tregoi mjaftueshëm – të paktën në sulm – për të konfirmuar se këtë sezon kemi vërtet një garë të fortë për titullin.
City u shkëput në një epërsi 5-1 në “Craven Cottage”, por më pas u fik, duke përfunduar ndeshjen duke u mbrojtur me vështirësi tre pikët jetike.
Haaland u bë lojtari më i shpejtë që arrin 100 gola në Premierligë, pasi kaloi Cityn në avantazh. Ai arriti kuotën e 100 golave në paraqitjen e tij të 111-të, duke thyer rekordin e vjetër të Alan Shearer prej 124 ndeshjesh. Sulmuesi norvegjez është lojtari i 35-të që i bashkohet “klubit të 100-shes”.
Haaland duhej ta kishte kaluar Cityn në epërsi që në minutën e gjashtë, pasi u shpërblye me një pasim të artë, por goditja e tij goditi pjesën e brendshme të shtyllës kur dukej i sigurt për të shënuar.
25-vjeçari më pas shënoi golin e parë me një perlë në shiun e dendur të Londrës – ishte goli i tij i 15-të i sezonit në ligë – duke goditur me të majtën pas krosimit të ulët të Jeremy Doku nga krahu i majtë.
City po merrte ritëm dhe e dyfishoi rezultatin para pushimit me një tjetër gol të bukur. Këtë herë Haaland ishte asistuesi, duke u rrotulluar drejt mbrojtësit dhe më pas duke shërbyer për Tijjani Reijnders, i cili finalizoi me një goditje elegante mbi Bernd Leno për golin e tij të parë që nga debutimi.
Foden, që po rikthehet në formën e tij më të mirë javët e fundit, shënoi golin e tretë, pasi një grushtim i dobët i Lenos nga një goditje këndi përfundoi tek ai, dhe ai e dërgoi topin në rrjetë me një goditje të fuqishme me të majtën.
City po dominonte, por u përgjum dhe Emile Smith-Rowe ngushtoi rezultatin në kohën shtesë të pjesës së parë me një goditje me kokë tepër të saktë nga një kënd i pamundur, duke mposhtur Gigi Donnarumman.
Por Foden pati nevojë për vetëm tre minuta në pjesën e dytë për ta bërë 4-1, duke goditur në shtyllën e afërt pasi Haaland devijoi një tjetër krosim të ulët nga Doku.
Doku ishte kudo në fushë dhe një goditje e tij me hark, e devijuar, përfundoi mbi Lenon e pafat dhe në rrjetë – një gol që iu kreditua si autogol i Sander Berge.
Ky ishte rasti më i hershëm ndonjëherë që Fulham ka pësuar pesë gola në një ndeshje Premierligë, por ata reaguan menjëherë duke shënuar një tjetër, me Alex Iwobi që gjuajti saktë në këndin e portës nga jashtë zonës.
Haaland goditi sërish shtyllën me kokë dhe Fulham e bëri 5-3 pak çaste më vonë, kur zëvendësuesi Samuel Chukwueze goditi topin e lirë me një gjuajtje në ajër.
Chukwueze më pas e përsëriti manovrën pas një tjetër krosimi të larguar keq në minutën e 78-të, duke çuar topin në rrjetë dhe duke bërë rezultatin 5-4.
Kanë kaluar 12 vjet që nga ndeshja e fundit në Premierligë me 10 gola, dhe pavarësisht përpjekjeve të Fulham në tetë minutat e shtesës, ata nuk arritën ta gjenin golin e barazimit. /Express/






