Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas videos së publikuar nga Vetëvendosje ku kritikohej opozita për qasjen e saj ndaj Serbisë.
Çitaku tha se Vetëvendosje është në panik dhe se sipas saj, nuk i’u ka mbetur asgjë tjetër përveç videove me propagandë e shpifje.
“S’ju ka mbetur tjetër përveç videove me propagandë, shpifje e thjeshtëzime banale. Ujë në mulli të Vuçiçit po dërgon vetë Albin Kurti, me qasjen e tij avantureske e të papërgjegjëshme. Interes i kujt, pos i Serbisë, është sanksionimi i Kosovës nga aleatët e armiqësimi ynë me gjithë botën? Interes i kujt është pushtimi i mediave botërore me tituj që e përshkruajnë Kosovën si vatër krize, të polarizuar nga brenda e të izoluar nga jashtë? “, ka shkruar ajo.
Teksa ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës është gati për zgjedhje të reja.
“Ndërkohë për zgjedhje të reja, jemi gati që sot. Mos u tutni”, tha ajo.
Ndryshe, partitë opozitare po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Kurti, pas situatës aktuale të krijuar pas zhvillimeve në veri, e ku opozita thotë se Kurti po e prish Kosovën me aleatët.