Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje flet për numra dhe për poste, derisa sipas saj, numrat e faturave të energjisë elektrike për qytetarët janë duke u rritur.
Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se numrat që kanë rëndësi janë të rritjes së çmimit të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
“VV po flet vetëm për numra. Flitet për numra deputetësh, për poste e pazare, por harrohen numrat që i ndiejnë përditë qytetarët tanë: numrat në fund të faturës së energjisë elektrike, numrat që formojnë çmimin e bukës, vajit, miellit, qumështit”.
“Këto janë numrat që kanë rëndësi. Këto janë numrat që vendosin nëse një familje do ta përballojë muajin, apo do të duhet të zgjedhë mes ngrohjes dhe ushqimit. Nesër, ZRRE do të vendosë për këta numra. Dhe çdo vendim i tyre do të prekë secilin prej nesh. Asnjë cent më shumë. Asnjë”, ka thënë Çitaku.