Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj një deklarate të Glauk Konjufca, duke e cilësuar gjuhën e përdorur si kërcënuese, fyese dhe përçarëse.
Në një postim publik, Çitaku i është referuar deklaratës së Konjufcës, ku ai thuhet se ka përdorur shprehjen “Tokë të zezë kemi me i ba”, duke ngritur pyetje se kujt i drejtohet një retorikë e tillë.
“‘Tokë të zezë kemi me i ba’, paska thënë Glauku. E kënd saktësisht? Qytetarët që nuk i votojnë? Institucionet që nuk u nënshtrohen? Kë do ta bëjë shkrumb e hi VV-ja?”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se qytetarët e Kosovës janë të lodhur nga gjuha e kërcënimeve dhe përçarjes, duke kërkuar ndryshim në diskursin politik.
“Ky vend dhe ky popull janë ngopur me gjuhë kërcënuese, fyese, përçarëse dhe përjashtuese. Janë ngopur me retorikë që ushqen frikë dhe urrejtje, në vend të shpresës dhe zgjidhjeve. Boll më”, ka theksuar ajo.
Çitaku ka shtuar se në mungesë të rezultateve konkrete, përfaqësuesit politikë duhet së paku të mos e dëmtojnë më tej debatin publik.
“Nëse nuk keni rezultate për të treguar, së paku mos e ndotni edhe më tej diskursin publik. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, respekt dhe qeverisje, jo për kërcënime e arrogancë”, ka përfunduar Çitaku.






