Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka konfirmuar se janë në koordinim me degën në Mitrovicë.
Në një postim në Facebook, Çitaku njoftoi se sot PDK do të dorëzon ankesë në PZAP.
“Dua t’i siguroj të gjithë mbështetësit, anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike të Kosovës se jemi në koordinim të vazhdueshëm me degën tonë në Mitrovicë dhe me të gjitha strukturat drejtuese.
Jemi duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve të Mitrovicës nga çdo tentativë për deformim, të evidentuar nga komisionerët tanë në terren. Sot do të dorëzojmë ankesën zyrtare në PZAP”, ka shkruar Çitaku.
Dyert e Qendrës Komunale të Numërimit (QKN) në komunën e Mitrovicës janë mbyllur të martën, pas vendimit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, e cila në mesnatë ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të procesit të numërimit të fletëvotimeve.






