Home Lajme Çitaku: Nga njohja reciproke, Kurti e reduktoi dialogun në targa

Çitaku: Nga njohja reciproke, Kurti e reduktoi dialogun në targa

0
Çitaku: Nga njohja reciproke, Kurti e reduktoi dialogun në targa

Nënkryetarja e PDK-së, parti kjo opozitare, Vlora Çitaku, e ftuar në magazinën “Lajmet e Fundit” në RTK, ka folur  për disa çështje. Ndër të tjera ajo u pyete dhe për  deklarimet që vijnë nga Beogradi zyrtar lidhur me njohjet ndaj pavarësisë së Kosovës, që kinse ky vend ka siguruar nga vende të tjera.

Çitaku  deklaroi se ajo që prodhoi shumë zhurmë, është konferenca e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se janë tërhequr 9 njohje ndaj pavarësisë së Kosovës. Sipas saj, kjo është bërë për të prodhuar konfuzion.

“Ata janë në gjendje të thonë shumë gjëra, por kjo nuk më shqetëson”,tha Çitaku . “Ajo që  më shqetëson  mua është kur nuk ka reagim adekuat nga diplomacia e Kosovës”.

Sipas nënkryetares së PDK-së e cila ishte ambasadore e Kosovës në SHBA e më parë edhe ministre e Integrimeve Evropiane, në një situatë të tillë, Qeveria e Kosovës duhet të dalë dhe të tregojë nëse këto çnjohje janë apo nuk janë të vërteta.

Ajo tha se ambasadori amerikan e ka marrë përsipër atë që  do të duhej  ta thoshte  kryeministri Albin Kurti.

Çitaku  u shpreh se e vërteta e dhimbshme është që plani franko- gjerman si i tillë çfarë është sot, nuk e ka njohjen  reciproke në thelb.

“Njohjen reciproke si produkt thelbësor i marrëveshjes finale në mes Kosovës dhe Serbisë, e kemi katandisur procesin në këtë pikë ku thuhet që njohja tani nuk është në tavolinë”.

“Tani kemi një marrëveshje e cila nuk e ka njohjen reciproke në qendër, por  kemi një marrëveshje e cila në fund më shumë shtron pyetje sesa që jep përgjigje”, deklaroi Çitaku në RTK.

Sipas saj, nëse ka një marrëveshje e cila prodhon një status-quo të re, por jo një fund të konfliktit të ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë kryeministri Kurti duhet të japë dorëheqje.

Çitaku  deklaroi se kryeministri Kurti duhet të përgjigjet se si është e mundur q nga letra e Presidentit Joe Biden, ku flitet për produkt të njohjes finale, është katandisur në këtë gjendje.

“Për më shume se një vit Kosova e ka reduktuar procesin e dialogut në targa, në letërnjoftime”.

Ajo tha se i tërë sovraniteti i Kosovës u reduktua në këto pika, në vend se të shfrytëzohej konteksti i ri gjeopolitik.

Ndër të tjera, nënkryetarja e PDK-së deklaroi se kryeministri Kurti tregoi kokëfortësi, aty ku sipas saj,  nuk duhej.

“Evropa dhe ShBA nuk kanë qenë asnjëherë më  në unison sesa tani pas luftës në Ukrainë”.

Çitaku  u shpreh se në vend se ky momentum të shfrytëzohej, Kosova ka situatën e ka reduktuar në targa. “Sot veriu ka më pak se kurrë sovranitet. Kemi shumë pak policë atje sa për  t’i ruajtur stacionet policore”.

“Nëse Kurti ka menduar se do të arrinte marrëveshjen pa faktorin ndërkombëtar, besoj do ta ketë mësuar tashmë këtë mësim”.

Exit mobile version