Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës, për gati një muaj prej përpjekjes së parë të 15 prillit, e ka krijuar një precedent të paparë më herët në vend.
Si zgjidhje për të dalur nga situata e krijuar sipas Sekretares së Përgjithshme të PDK-së Vlora Çitaku, është tejkalimi i vetvetes nga politikanët bllokues të këtij procesi, për hirë të të mirës së përgjithshme.
Sipas saj, shteti është më i madh sesa egoja e Albin Kurtit e Albulena Haxhiut.
“Përtej mospajtimeve politike se ato janë normale, nuk don ta votosh [propozimin për kryeparlamentare] nuk e voton se ti aty e përfaqëson vullnetin e qytetarëve që të kanë zgjedhë, po klima, atmosfera, talljet, përqeshjet, situatat që ndoshta nuk i zënë kamera janë vërtetë për keqardhje. Ne duhet për hir të së mirës së përgjithshme duhet ta tejkalojmë vetveten. Kosova është më e madhe sesa egoja e Albin Kurtit dhe ambiciet e Albulena Haxhiut. Unë po të isha në vendin e zonjës Haxhiu, me këmbëngulësi do të largohesha nga aty”, tha Çitaku në Rubikon të Klan Kosovës.
Çitaku ka deklaruar se ndjenë keqardhje për Albulena Haxhiun, emri i së cilës sipas saj po shpërdorohet nga partia së cilës i takon.
Për më tepër Çitaku thotë se Haxhiu do të duhej të tërhiqej nga përpjekja e më tejme për tu bërë kryeparlamentare, meqë në të gjitha përpjekjet deri tash ka dështuar të marrë votat e nevojshme.
“Personalisht unë e kam pasur një rast të ngjashëm. Pasi ishte formuar qeveria Kurti I, unë përmes Facebook isha njoftuar se Ministri i Punëve të Jashtme në atë kohë Glauk Konjufca i kishte dërguar letër Presidentit Hashim Thaçi që të më shkarkoj, e të nënshkruaj dekretin e kthimit tim nga Amerika. Ndonëse Thaçi kishte kërkuar nga unë që të vazhdoj të ri në pozitën e ambasadores unë kam refuzuar, kam thënë po kthehem. Edhe zonja Haxhiu duhet të veproj njësoj, ne duhet të kemi integritet e dinjitet se nuk kemi me qenë në politikë gjithë jetën. Unë ndjejë keqardhje për Haxhiun. Të lejosh të shpërdorohet emri dhe integritet personal deri në këtë pikë është sinqerisht e dhimbshme. Unë për vete nuk do ta lejoja për asnjë çmim”, tha ajo.