Lidhur me reagimet e partive të tjera opozitare, LDK e AAK, për takimin mes Kurti dhe Krasniqit, Çitaku tha se të gjitha partitë opozitare pajtohen se situate në vend është e rëndë.
“Nuk dua të ngre shtiza kundrejt partnerëve tanë opozitar, por problemin e kemi me qeverisjen, e cila ka degraduar jetën institucionale në këto katër vitet e fundit”, tha Çitaku.
Lidhur me mënyrën e shkuarjes në zgjedhje, Çitaku tha se e vetmja mënyrë është të shpartallohet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje, ndryshe, shtoi ajo, përmes dorëheqjes së kryeministrit Kurti nuk po duket se është opsion real.
“Partia Demokratike e Kosovës kërkon zgjedhje si instrument demokratik për të ofruar një platformë të re që synon të përmirësojë kualitetin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe që vendi të shkojë në zgjedhje, qoftë përmes të dorëheqjes së Kryeministrit, qoftë përmes të shpërndarjes së Kuvendit”, theksoi Çitaku në RTK.
Ajo vuri në dukje se kryetari Krasniqi është takuar kohë më parë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për të krijuar një konsensus të gjerë politik, që të ketë një dakordim për datën e zgjedhjeve parlamentare.
Çitaku tha se para mocionit për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, PDK do të zhvillojë takime me partitë opozitare për dakordësim për datën e zgjedhjeve, ndërsa shtoi se PDK është e mendimit që të jetë data 9 qershor, por që për shkak të çështjeve procedurale, për PDK-në është e rëndësishme që të shkohet në zgjedhje sa ma parë, sepse është e nevojshme dhe e domosdoshme.