21.4 C
New York
Monday, September 29, 2025

Buy now

Çitaku e ashpër me Kurtin për deklaratën për Dialogun Strategjik: Kur e thotë një njeri me peshë politike, e turpshme

- Advertisement -

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurtin për deklaratën e dhënë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se Dialogun e planifikuar Strategjik e ndërpreu për shkak të sundimit të ligjit në veriun e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Çitaku në një intervistë për Ekonomia Online, i quajti qesharake dhe të turpshme deklaratat e Kurtit, duke theksuar edhe se prej se ai udhëheq me Qeverinë ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës bashkë me partinë që ai drejton.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndërdyrë ushtarakisht në Kosovë në vitin 1999për ta bërë Kosovën shtet të dështuar, as nuk i kanë prirë procesit të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë për ta bërë Kosovën shtet të dështuar. SHBA-të kanë investuar fuqishëm tani e 26 vite në Kosovë në të gjitha fushat, të thuash se dialogu strategjik ka dështuar për shkak të këmbëngulësisë së zotit të Kurtit për rend dhe ligj e demokraci, thënë më së buti është qesharake, por në fakt kur e thotë një njeri me peshë politike është e turpshme. Vetë zotëri Kurti po i ikë prokurorisë tani e disa muaj. Shumica e ministrave të tij nëse nuk kanë aktakuzë, janë nën hetime. Zotëri Kurti dhe klasa politike, përkatësisht grupi politik të cilin ai e drejton e  kanë shkelë me vetëdije të plotë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për çfarë rendi dhe ligji, për çfarë demokracie po flet zotëri Kurti i cili i tani e 5 vite prej së është në udhëheqje të qeverisë ka kërkuar nënshtrim. Nënshtrim nga media, nga opozita, nga sektori privat e nga sindikatat. Është e turpshme që një njeri me peshë politike të deklarohet në atë formë“, ka deklaruar për Ekonomia Online Çitaku.

Ajo pati kritika edhe sa i përket shkuarjes së Kurtit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ku nënvizon se nuk kishte asnjë takim bilateral të nivelit të lartë.

“Pezullimi i Dialogut Strategjik është vetëm formalizmi i një raporti shumë të ftohtë mes Kosovës dhe SHBA-së tani e 5 vite. Po shihet edhe nga vizitat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përjashto pritjet protokollare që bëhen  për qindra  udhëheqës botëror. Kosova nuk pati takim bilateral të nivelit të larte. Tani e pesë vite nuk kemi pasë vizitë të nivelit të lartë në SHBA“, nënvizon Çitaku.

Çitaku e cila ka qenë edhe ambasadore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shpjeguar rendësin e Dialogut Strategjik dhe dëmi që iu shkaktua Kosovës nga ndërprerja e këtij procesi.

“Dialogu Strategjik është një nga instrumentet që SHBA-të përdorin për të ndërtuar raportet ane e mbanë botës. Dhe pezullimi i një procesi të tillë, përtej dëmit në fushën, politike, diplomatike e ekonomike i shkakton një dëm të madh reputacional në arenën ndërkombëtare sepse qartazi Kosova shihet si pala e papërgjegjshme  në mënyrën se si i ndërton raport me aleatë. Ndonëse shumë lajm i rëndë, kjo nuk do të duhej të përmbante befasi. Kosova sot është nën sanksione edhe nga BE, është në raporte të ftohta me Shqipëri dhe zotëri Kurti suksesshëm ka arritur të përçaj substancën shqiptare në Ballkan, me ndërhyrje të tij të papërgjegjshme në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe , Malin të ZI”, tha ajo.

Kryeministri në detyrë gjatë një bashkëbisedimi i pyetur që të sqaronte arsyen e vendimit të kumtuar nga SHBA-ja më 12 shtator për pezullim të Dialogut të planifikuar Stretegjik tha se ai nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit.

“[Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik] është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, tha Kurti ditë më parë.

Kurti tha se raporti Kosovë-SHBA është tridimensional: mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci. Përderisa në dy shtyllat e para tha se nuk ka probleme, sa i përket diplomacisë, sipas tij, ka “pengesa”.

“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im”, tha Kurti, duke shtuar se ai përfaqëson interesat e Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit