Është pjesë përbërëse e reformës së synuar në drejtësi.
Mirëpo, projektligji për realizimin e gjykimit brenda kohës së arsyeshme, del të jetë problematik.
Me këtë nismë ligjore, mjetet juridike për një gjykim të drejtë, përcaktohen të jenë kërkesa për përshpejtim të procedurës dhe kërkesa për kompensim të drejtë të dëmit.
Për këto kërkesa do të vendosin kryetarët e gjykatave dhe Gjykata Supreme, për çka vlerësohet si jo e duhur.
“Sipas dispozitave aktuale ngarkohen me obligime shtesë edhe kryetarët e gjykatave, e mbi të gjitha Gjykata Supreme. Kjo për faktin se do të jenë mekanizmat kryesor për realizimin e kërkesave, përkatësisht të drejtave të palëve. Prandaj, shtimi me kompetenca mund të rezultojë me kundërefekt në praktikë”, tha avokati Ardian Bajraktari.
Sipas projektligjit, gjykimi në shkallë të parë duhet të përfundojë brenda tre viteve, kurse në shkallë të dytë brenda dy viteve.
E ky afat, vlerësohet të jetë në kundërshtim me atë se si është e përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale.
“Përderisa Kodi i Procedurës Penale thtotë se nëse një lëndë trajtohet nga një trup gjykues, afati optimal i përfundimit të atij rasti është afati prej 120 ditëve, plus edhe 30 ditë që mund të bëhen me kërkesë të trupit gjykues. Pra, përafërsisht brenda 150 ditëve duhet të marrë epilog një lëndë e natyrës penale. Kurse projektligji për gjykimin e drejtë, e zgjeron këtë afat, e shtyn edhe më tepër se 150 ditë. Këta kanë thënë që ky afat të jetë deri në tre vite“, tha Vullnet Bugaqku nga KDI.
Me projektligj, personat që kërkojnë kompensim për realizimin e gjykimit brenda kohës së arsyeshme, mund të marrin kompensim monetar prej 300 deri në 5 mijë euro.