![Cilat janë lidhjet mes kamionëve në barrikadën në Banjskë dhe Millan Radoiçiqit? Cilat janë lidhjet mes kamionëve në barrikadën në Banjskë dhe Millan Radoiçiqit?](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2023/09/kamion-1024x513-1.jpg)
Radio Evropa e Lirë (REL) nuk ka mundur të konfirmojë në mënyrë të pavarur nëse kompania “VS Energy”, emri i së cilës është shkruar në derën e kamionit, është pronar i automjetit.
Por, analiza e REL-it ka vërtetuar lidhjet afariste të kompanisë me Millan Radoiçiqin, nënkryetarin e Listës Serbe – parti udhëheqëse e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Radoiçiq akuzohet nga autoritetet kosovare për organizim dhe pjesëmarrje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, në Banjskë, ndërsa Prishtina zyrtare e ka lidhur edhe më herët me veprimtari kriminale.
Kompania “VS Energy” është partner biznesi me kompaninë rrugore “Novi Pazar-put”, pronarë të së cilës janë Radoiçiq, biznesmeni nga veriu i Kosovës, Zvonko Vesellinoviq dhe vëllai i tij Zharko Vesellinoviq.
Sipas Policisë së Kosovës, kamioni me mbishkrimin “VS Energy” është një nga veturat që i ka shërbyer grupit të armatosur për të bllokuar rrugën për në fshat, natën ndërmjet së shtunës dhe të dielës, më 24 shtator.
Siç është njoftuar, pasi zyrtarët policorë kanë tentuar të heqin barrikadën, ata janë sulmuar.
Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku është vrarë dhe disa të tjerë u plagosën.
Më vonë, tre sulmues serbë u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në Banjskë.
Çfarë janë lidhjet mes kamionit në barrikadë dhe kompanisë në Serbi?
Në kamionin ngjyrë portokalli, i destinuar për punë ndërtimtarie, i markës Volvo, përveç gomave të shpuara dhe xhamave të thyer, vëmendjen e tërheqin edhe shkronjat e errëta latine në derë – emri dhe logoja e kompanisë “VS Energy”.
Logoja e kompanisë “VS Energy”, nga REL-i është parë në fotot dhe videot e marra, pasi që mediat u lejuan të hynin në Banjskë më 27 shtator, pas një bllokade treditore policore.
Kompania “VS Energy” nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it, nëse kamioni është ende në posedim të tyre dhe çfarë lidhje ka kompania me barrikadën në Banjskë.
Një përfaqësues i “VS Energy”, i cili u përgjigj në numrin zyrtar të telefonit të kompanisë, tha se nuk kishte informacion të mjaftueshëm dhe se dikush me më shumë informacion do t’i përgjigjej redaksisë. Deri në publikimin e këtij artikulli, kjo kompani nuk dërgoi përgjigje lidhur me pyetjet se nga erdhi në Banjskë kamioni me shenja të kompanisë, ndërkaq, askush nga kompania nuk u përgjigj më në thirrjet telefonike.
Ata nuk iu përgjigjen as pyetjeve të dërguara nga REL-i.
Lidhur me pyetjet se a kanë informacion se në pronësi të kujt janë kamionët e përdorur në bllokada dhe se a dihet se si kanë arritur në Kosovë, nuk u përgjigj as Policia e Kosovës, deri në publikimin e këtij artikulli.
Zvonko Vesellinoviq nuk ishte i qasshëm për të dhënë komentin e tij.
REL-i nuk ka mundur të kontaktojë as me Millan Radoiçiqin, sepse, gjykuar nga mesazhi automatik i operatorit celular, ai ka bllokuar telefonatat.
REL-i nuk arriti të përcaktojë në mënyrë të pavarur nëse kamioni i fotografuar në hyrje të Banjskës ishte në pronësi të kompanisë “VS Energy”, në momentin e sulmit ndaj Policisë së Kosovës.
Në fotografitë e automjetit, targat nuk janë të dukshme.
Siç tregoi analiza e REL-it, të dhënat e shkruara në derën e kamionit në Banjskë, përputhen me të dhënat nga faqja e internetit të kompanisë së regjistruar në regjistrin komercial të Serbisë, me emrin “VS Energy 2015 DOO”.