Takimi i 14 qershorit do të jetë i nënti në total, e i treti mes Qeverisë Kurti e asaj Rama për më shumë se dy vjet. 41 ujdive të arritura mes tyre do u shtohen edhe rreth 10 të tjera në fushën e drejtësisë, shëndetësisë, bujqësisë, arsimit e mbrojtjes.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu tha për Klan Kosova se përfitime nga pajtimi i qeveritarëve pritet të kenë kategoritë e fushave të caktuara nga të dyja anët e kufirit.
Sipas Kryeziut në agjendë janë një varg dakordimesh, si ajo për njohjen e profesionit të Avokatit e ndërmjetësimit për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve në të dy vendet, pastaj lehtësimin e kontrollave të produkteve jo shtazore si dhe rritjen e mobilitetit të studentëve në Kosovë e Shqipëri përmes bursave.
Biblioteka e Gjakovës do të jetë nikoqir i takimit, Teatri Hadi Shehu pret nënshkrimet e konferencën e kryeministrave, ndërsa një restorant për drekën e një hotel është rezervuar për një takim të pa ndodhur më parë mes kryeministrave dhe kryetarëve të komunave ndër-kufitare.
Nga mbledhia me shefat e dy qeverive, sipas Kryeziut pritet të marrin epilog sfidat e telashet e tyre sikur edhe të qytetarëve e bizneseve të të dyja vendeve që presin jetësimin e krejt zotimeve.