Sipas zyrtarëve amerikanë, Agjencia Qendrore e Inteligjencës ka dalë në përfundimin se Ukraina nuk ka sulmuar një rezidencë të përdorur nga presidenti rus Vladimir Putin gjatë një sulmi me dron në veriperëndim të Rusisë, duke sfiduar deklaratën që Kremlini i kishte bërë presidentit Donald Trump gjatë një bisede telefonike të hënën.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, e ka informuar Trumpin për këtë vlerësim të mërkurën, thanë zyrtarët, raporton “New York Post”.
Rusia kishte ngritur publikisht pretendime se Ukraina kishte tentuar të godiste shtëpinë e Putinit, dhe Trump kishte thënë për gazetarët se Putini ia kishte treguar këtë gjatë telefonatës. Në atë kohë, Trump kishte shprehur shqetësim, duke deklaruar se ishte “shumë i zemëruar” nga ky pretendim, edhe pse Ukraina e kishte mohuar fuqishëm.
Ai gjithashtu pranoi se ishte “e mundur” që pretendimi të mos ishte i vërtetë, por shtoi se: “Presidenti Putin më tha këtë.”
Sipas burimeve të “New York Post”, Ratcliffe më pas e informoi Trumpin se CIA nuk besonte se kjo ishte e vërtetë. Të mërkurën, Trump ka mbajtur një qëndrim më dyshues, duke shpërndarë një editorial të New York Post në platformën e tij Truth Social, me titullin: “Shfaqja e Putinit për ‘sulmin’ tregon se Rusia është pengesa e paqes”.
Editoriali vë në dukje se ishte “ironike që Putini, i cili ka zhvilluar një luftë brutale për gati katër vjet, beson se çdo dhunë në afërsi të tij meriton zemërim të veçantë” dhe shton se “Çdo sulm ndaj Putinit është më se i justifikuar”.
Por editoriali thekson gjithashtu: “Problemi është se sulmi me dron ndoshta nuk ka ndodhur. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka mohuar fuqishëm, dhe zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov nuk ka mundur të ofrojë prova, duke kërkuar nga mediat të ‘besojnë fjalën e Kremlinit’.






