Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill, është angazhuar në një rol të ri si këshilltar i lartë pranë organizatës “Iniciativa Pupin”, e cila vepron në Uashington me qëllim të thellimit të bashkëpunimit politik ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së.
Sipas raportimit të N1, Hill do të veprojë në këtë funksion në mënyrë vullnetare, pa pagesë.
Qëllimi i këtij angazhimi është forcimi i lidhjeve të Serbisë me të dy partitë kryesore amerikane – Demokratët dhe Republikanët – në Kongresin amerikan, përmes komunikimit të strukturuar dhe lobimit institucional.

“Iniciativa Pupin” është një organizatë dy-partiake me seli në Uashington, e cila synon të afrojë qëndrimet midis qarqeve politike amerikane dhe aktorëve të rëndësishëm në Serbi.
Christopher Hill ka një karrierë të gjatë dhe të pasur diplomatike, duke shërbyer më parë si ambasador në Irak, Korenë e Jugut, Poloni dhe Maqedoni. Ai ka qenë gjithashtu i përfshirë në proceset e ndjeshme të negociatave për konfliktet në Ballkan, duke marrë pjesë si pjesë e ekipit amerikan në marrëveshjet e Dejtonit dhe Rambujesë.