Një tjetër rikthim romantik për Javier Chicharito Hernandez! Pas 13 vitesh e gjysmë, sulmuesi meksikan e gjen veten përsëri në klubin ku nisi karrierën në futbollin profesionist.
35-vjeçari është lojtari më i ri i Çivas! Hernandez doli futbollist i lirë, pasi i tha lamtumirë Los Anxhelos Galaxy, të cilët nuk i ofruan rinovim.
Chicharito u rrit në sektorin e të rinjve të Çivas dhe bëri debutimin e tij në ekipin e parë në 2006. Golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares meksikane (52 gola në 109 ndeshje) u transferua te Manchester United në verën e vitit 2010 dhe më pas u huazua te Real Madrid në sezonin 2014-2015, duke u bërë idhulli i tifozëve pas një goli të shënuar në një derbi të Champions League kundër Atletico Madrid.
Ai më vonë luajti edhe për Bajer Leverkusen, West Ham dhe Sevilla, përpara se të transferohej te Los Anxhelos në 2020-ën. Gjasat janë të mëdha që Chicharito ta mbyllë karrierët te Çivas.