32.4 C
New York
Monday, July 21, 2025

Buy now

Chicharito: Gratë duhet të pastrojnë, riprodhojnë dhe mirëmbajnë shtëpinë

- Advertisement -

Ish-sulmuesi i Real Madridit dhe përfaqësuesi i njohur i kombëtares së Meksikës, Javier “Chicharito” Hernandez, ka nxitur reagime të ashpra në publik pas një serie postimesh në rrjetet sociale, të cilat u konsideruan si seksiste dhe ofenduese.

Në disa postime në Instagram, 37-vjeçari akuzoi gratë për “zhdukjen e maskulinitetit” dhe i bëri thirrje që të “kthehen në rolet e tyre natyrore”, duke përmendur si përgjegjësi kryesore “kujdesin, rritjen dhe mirëmbajtjen e shtëpisë”.

“Gra, po dështoni. Po zhdukni maskulinitetin duke krijuar një shoqëri hipersensitive. Përqafoni energjinë tuaj femërore – kujdesi, rritja, shumëzimi, pastrimi dhe mirëmbajtja e shtëpisë, që është vendi më i çmuar për ne burrat”, shkroi ai në një nga postimet e tij.

Hernandez shtoi se edhe burrat “dështojnë”, duke i fajësuar për mungesë angazhimi dhe përgjegjshmërie, por po ashtu theksoi se shumë prej tyre jetojnë me frikë për të shprehur ndjenjat për shkak të, siç tha, përpjekjeve për të “zhdukur maskulinitetin”.

Deklaratat e tij u pritën me kritika të shumta nga përdoruesit e rrjeteve sociale, të cilët shprehën shqetësim mbi mënyrën sesi ish-futbollisti përcakton rolet gjinore në shoqëri.

“Hajde Javier, është e trishtueshme të të shoh kështu. Të lutem ndalo,” shkroi një përdorues, ndërsa një tjetër u shpreh: “Të konsiderosh pastrimin dhe mirëmbajtjen e shtëpisë si kulmin e identitetit femëror është jo vetëm e kufizuar, por edhe jo e respektueshme.”

Kjo nuk është hera e parë që Hernandez shfaq pikëpamje kontraverse në rrjetet sociale. Vetëm një ditë më parë, ai publikoi një video ku deklaronte: “Një burrë duhet të kujdeset për ty, por nëse pastrimi për ty është shtypje patriarkale, kjo është interesante.”

Hernandez, i cili u divorcua nga modelja Sarah Kohan në vitin 2021, ka folur hapur për sfidat personale dhe shpirtërore që kaloi pas ndarjes. Në një intervistë për The Ringer, ai pranoi se nuk ishte partneri apo babai që dëshironte të ishte dhe se lufton me pasojat e ndarjes nga fëmijët e tij.

“Nuk isha burri që doja të isha. U tmerrova kur kuptova se martesa nuk ishte ajo që duhej të ishte,” deklaroi ai.

Aktualisht pjesë e klubit meksikan Guadalajara, Hernandez, i dashur për tifozët e Manchester United, ka pasur një numër të reduktuar paraqitjesh gjatë sezonit të fundit për shkak të lëndimeve. Në 22 ndeshje, ai shënoi dy gola dhe regjistroi një asist.

Të ngjashme

Të fundit