Home Sport Chicago mbështetet te Shaqiri për të siguruar plejofin

Chicago mbështetet te Shaqiri për të siguruar plejofin

0
Chicago mbështetet te Shaqiri për të siguruar plejofin

Te Chicago Fire e kanë parasysh se kualifikimi në garat e plejofit në MLS është mision tejet i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Megjithatë, Chicago mban shpresat te një lojtar për të siguruar pjesëmarrjen në plejof, ka shkruar të enjten “Chicago Sun Times”. Shpresa e vetme dhe e madhe e Chicagos mbetet Xherdan Shaqiri, i cili është ribashkuar me ekipin amerikan pas grumbullimit me Përfaqësuesen e Zvicrës. Zvicra këtë muaj e luajti vetëm një ndeshje në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024” dhe Shaqiri tregoi formë të mirë. Ai shënoi gol fantastik në barazimin kundër Bjellorusisë 3:3, dhe tani do të përpiqet ta ndihmojë Chicagon në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit të rregullt në MLS. Një paraqitje e mirë e Shaqirit për Chicagon do të thoshte shumë në “ditën vendimtare” për këtë skuadër, e cila po lufton ta sigurojë plejofin në xhiron e fundit të sezonit të rregullt.

Të dielën, Chicago përballet me New York Cityn dhe fitorja në këtë do t’ua siguronte plejofin ekipit e Shaqirit. Për ta fituar këtë ndeshje, Chicago ka nevojë për gola apo edhe asistime, që do të thotë se të gjithë kanë kthyer sytë kah Shaqiri. Në Konferencën Lindore, katër skuadra po luftojnë për 2 vendet e fundit që garantojnë plejofin dhe gjithçka do të përcaktohet në vikend. Chicago ka në duart e veta kualifikimin në plejof për herë të parë që nga viti 2017. Nëse siguron garat e plejofit, atëherë kjo do të ishte hera e tretë për Chicagon në 11 vjetët e fundit. Në fakt, Chicago po shpreson në një paraqitje të mirë të Shaqirit sikurse ndaj Inter Miamit të Lionel Messit. Shaqiri shënoi dy gola në fitoren 4:1 edhe pse te Miami nuk u paraqit Messi për shkak të lëndimit.

“Pritjet janë të mëdha nga Shaqiri, i cili edhe një herë do të sfidohet, por në xhiron e fundit të sezonit të rregullt. Një paraqitje fantastike dhe ndonjë gol për ta fituar ndeshjen, përfundimisht do ta ndihmonin Chicagon në misionin e plejofit”, ka shkruar “Chicago Sun Times”.

Shaqiri 32-vjeçar, këtë sezon ka pasur paraqitje të mira te Chicago, ku në 33 paraqitje në të gjitha garat, ka shënuar 7 gola dhe ka regjistruar 6 asistime. Ai është pjesë e kësaj skuadre prej shkurtit të vitit të shkuar, kur iu bashkua nga Lyoni dhe ka kontratë deri në fund të vitit të ardhshëm.

Exit mobile version